Rama: Kolegji po shkel sërish ligjin

06/06/2011 23:30

Opozita thotë se është ende i paqartë arsyetimi ligjor ku është bazuar Kolegji Zgjedhor në vendimin e të premtes, derisa nuk është bërë zbardhja e këtij vendimi, i cili sipas afateve ligjore duhej të ishte publikuar mesditën e së hënës. (UPDATE)

“Saliu e kërkon me cdo kusht e mjet Tiranën që asnjëherë nuk e ka fituar dot me votë, por është e sigurt se fitorja e vjedhur s’është asgjë tjetër vecse gropa pushtetit të tij, ashtu sic është e sigurt se të gjithë ata që po e ndihmojnë në këtë grabitje do të përgjigjen para ligjit për shkeljen e Kushtetutës dhe nëpërkëmbjen e popullit sovran. Kolegji i së premtes ka dhënë një vendim që ne nuk e pranojmë dhe duke mos dhënë as edhe arsyetimin e atij vendimi sic e kërkon ligji, ka treguar botërisht se nuk është as i pavarur, as i paanshëm, as i gatshëm të fshehë varësinë e vet nga Saliu. Aq më keq për ta! Ne jemi këtu të gatshëm të përballemi me të keqen dhe të vendosim demokracinë me cdo sakrificë”, tha Rama.

I shoqëruar nga juristi Eridian Salianji, deputeti Gjiknuri për pak minuta ka qendruar në ambientet e Gjykatës së Apelit ku ndodhet edhe Kolegji Zgjedhor nga ku ka kërkuar t’i vihet në dispozicion e një kopje e vendimit.

Deputeti Gjiknuri, ashtu sic edhe pritet, ka paralajmëruar se pranë Kolegjit do të dorëzohet një tjetër ankimim.

“Sot skadon edhe afati jonë për paraqitjen e kërkesë-padisë, detyrimisht në do ta dorëzojmë kërkesë-padinë tonë, por fatkeqësisht nuk jemi në gjendje të mësojmë shkaqet e vërteta ku u bazua Kolegji Zgjedhor për të rrëzuar kërkesën tonë. Kështu që në një farë mënyre na lë ne me mangësi. Por ne do mundohemi që edhe këto mangësi t’i rikuperojmë, mangësi që janë shkaktuar nga moszbatimi i ligjit nga vetë Kolegji Zgjedhor”, tha deputeti Gjiknuri.

Pavarësisht se nuk ka ende në dorë vendimin e datës 3 qershor, Partia Socialiste është e vendosur ta cojë deri në fund betejën ligjore për Tiranën.

Vendimi i marrë me katër vota pro dhe një kundër, nga anëtarët e Kolegjit,  hodhi poshtë ankimimin e kësaj force politike e cila kërkonte shpalljen të jashtëligjëshme të procedurave të ndjekura nga KQZ që vlerësoi si të rregullta fletëvotimet e hedhura në kutitë e gabuara.

Reagon PD

Por Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet zëdhënëses së saj, Albana Mustafaraj duke akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama se po kërcënon institucionet kushtetuese dhe të pavarura të vendit.

“Edi Rama ende nuk kupton megjithë detyrimin e cdo politikani dhe thirrjet e përsëritura të komunitetit ndërkombëtar për të respektuar pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe demokratike të Shqipërisë, vendimet e tyre dhe shtetin ligjor, ai vazhdon cdo ditë me presione dhe kërcënime dhe deklaron se nuk njeh vendimet e tyre. Partia Demokratike i qendron e patundur angazhimit të saj që të presë me durim dhe respekt vendimet e institucioneve të pavarura të vendit. Cdo përpjekje për të përbaltur procesin dhe shumë më keq, edhe për të kërcënuar Kolegjin Zgjedhor, është e pavend dhe vetëm se bën të ditura motivet e vërteta të këtij qendrimi absurd dhe agresiv”, tha zëdhënësja Mustafaraj.

Top Channel