Rama: Kolegji ka shkelur drejtësinë

06/06/2011 18:55

Kryetari i PS, Edi Rama ka kritikuar me nota të ashpra Kolegjin Zgjedhor, i cili nuk paraqiti asnjë argument ligjor për vendimin e pak ditëve më parë, që legjitimoi vendimin e KQZ për numërimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara.

“Kolegji nuk ka dhënë asgjë të shkruar, asnjë arsye, sic e detyron ligji, për vendimin e turpshëm të pak ditëve më parë. Askush nuk e di përse Kolegji ka mbështetur vendimet e turpshme të KQZ-së, pavarësisht se ligji të detyron ta deklarosh brenda tre ditësh”, ka deklaruar Rama.

Në një deklaratë për mediat, lideri i opozitës ka nënvizuar se në këtë situatë, që sipas tij bie ndesh me Kushtetutën, kemi të bëjmë me një shkelje nga organet e drejtësisë, të cilën PS nuk do ta pranojë.

“Ne nuk e pranojmë vendimin e Kolegjit, pasi ai ka treguar botërisht se nuk është as i pavarur dhe as i gatshëm të fshehë vartësinë nga Saliu”, ka pohuar Rama.

Sipas kreut të PS, deklaratat e sotme të kryeministrit Berisha për certifikimin e rezultatit tregojnë se ai është orkestruesi i kësaj “maskarade”, që sipas tij po e shohin vendas e ndërkombëtarë.

“Ne shohim dhe kuptojmë gjithcka që ndodh. Fitorja jonë, e realizuar në sytë e gjithë shqiptarëve, na bën që të mbetemi të kthjellët. Produkti i neveritshëm i ndërhyrjes së KQZ në proces bind cdo qorr e cdo shurdh se ajo që ka ndodhur është një kanibalizëm i mirëfilltë me votat e popullit”, është shprehur Rama.

“Rregullat nuk mund të ndryshojnë në fundin e lojës. Bindja jonë se e drejta e qartë si dielli nuk mund të mbulohet me marrëzitë e Saliut na bën të besojmë se bota demokratike nuk do mbyllë sytë ndaj këtij kanibalizmi”, ka vijuar Rama.

Ai ka kërkuar asistencën e misioneve ndërkombëtare për caktivizimin e “bombës me sahat”, që sipas tij kërcënon vendin.

“Ne përsëritëm apelin për komunitetin ndërkombëtar që të ndërhyjë me një ekspertizë të pavarur, që po nuk u bë situata do të kthehet në një minë me sahat për të ardhmen e vendit”, ka nënvizuar Rama.

Lideri i opozitës ka paralajmëruar bashkëpunëtorët e “maskaradës” se do të përballen me ligjin, ndërkohë që ka shtuar se beteja ligjore për Tiranën nuk do të mbarojë.

“Ne dorëzuam sot padinë tjetër për të drejtën, të cilën do ta kërkojmë deri në minutën e fundit. Askush të mos mendojë se kjo cudi zgjedhore do të mbyllet”, ka shtuar Rama.

Top Channel