Ndreca: Kolegji, vendim profesional

06/06/2011 19:30

Tom Ndreca, relatori që kryesoi trupën e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi të premten e kaluar kërkesën ankimore të PS, hedh poshtë pretendimet e socialistëve për shkelje të ligjit me mosparaqitjen e argumenteve.

“Situata zgjedhore pëson ndryshime dhe lindin fenomene që kërkojnë zgjidhje”, ka deklaruar Ndreca për programin shqip të “DW”.

“Kolegji Zgjedhor bëri një zgjidhje profesionale dhe të mbështetur në legjislacionin e Shqipërisë kur rrëzoi kërkesën ankimore të PS. Kjo, pasi Kolegji Zgjedhor gjykoi që akti normativ i KQZ nuk kishte të bënte më gjithë territorin e Shqipërisë, por vetëm me një njësi zgjedhore, atë të Tiranës dhe si i tillë nuk krijonte një normë për gjithë vendin”, ka sqaruar Ndreca.

Sipas tij, akti normativ i KQZ për numërimin e votave të kontestuara nuk ishte përfundimtar, pasi ai bëri vetëm korigjimin e tabelave të KZAZ-ve të Tiranës.

Ndreca mendon se “thembra e Akilit” në procesin e numërimit është natyra partiake e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, KZAZ-ve.

“Procesi i numërimit po stonon, po zgjatet. Grupet e numërimit dhe nivelet e administrimit të këtij procesi nuk duhet të jenë partiake, duhet gjetur një formë tjetër, jopartiake, ndofta forma elektronike, si e kanë vendet e BE”, ka nënvizuar Ndreca.

Top Channel