Orban: Shqipëria në BE, pas përmbushjes së kushteve

03/06/2011 11:00

Kryeministri hungarez Viktor Orban deklaroi se Shqipëria do të
integrohet në Bashkimin Evropian, pasi të përmbushen kushtet, ndërsa
theksoi se shpreson se politika do t’i zgjidhë debatet e brendshme.

“Nëse Shqipëria apo ndonjë vend tjetër do të përmbushin reformat mund të jenë pjesë e BE-së më parë se parashikimet. Energjia, puna për të plotësuar kriteret, përkushtimi ndaj objektivit për t’u bërë pjesë e Unionit janë thelbësore. Sa më shumë energji të jene për këtë qëllim, aq më i shpejtë do të jetë integrimi”, tha Orban, vendi i të cilit është president i radhës i BE-së.

Duke folur në një konferencë për media në Tiranë, me homologun Sali Berisha, Orban deklaroi se për cështjen e votave të kontestuara duhet ndjekur praktika amerikane; duhen numëruar votat dhe më pas t’i lihet gjykatës të jape vendimin e saj.

Nga ana e tij kryeministri Sali Berisha theksoi se pavarësisht zhurmës politike në Shqipëri, shteti ligjor funksionon normalisht.

“Institucionet e shtetit garantojnë zbatimin e ligjit, zgjedhjet që u zhvilluan në tërësi në Shqipëri u zhvilluan në një kohë të shkurtër dhe me rezultate shumë të qarta. Për Tiranën shpallja zyrtare e rezultatit është një test për institucionet e vendit”, tha Berisha.

Top Channel