Fillon shitja e hidrocentraleve

31/05/2011 15:00

Për herë të parë në historinë e vendit qeveria ka nisur zyrtarisht
shitjen tek privatët edhe të veprave prodhuese të energjisë elektrike,
të cilat kanë qenë gjithmonë shtetërore që nga ndërtimi i tyre dekada më
parë.

Ministria e Ekonomisë ka përgatitur një projekligj, i cili hedh në treg për privatizim 4 hidrocentralet e para që janë ai i Ulzës, Shkopetit dhe dy hidrocentralet e Bistricës. Drafti i cili ka shkuar në Komisionin e Ekonomisë dhe që pritet të votohet të mërkurën, fillimisht heq pronësinë e këtyre hidrocentraleve nga Korporata Elektroenergjetike dhe i organizon ato përkohësisht si shoqëri më vete. Por kjo vetëm për një periudhë shumë të shkurtër kohore, pasi menjëherë pas shkëputjes së tyre nga KESH do nise privatizimi.

Qeveria ka lënë të hapur të dy variantet e privatizimit në draft, qoftë atë të shitjes direkte, por edhe atë të koncesionit. Sipas draftit, blerësit do i ofrohen jo më pak se 51 për qind e aksioneve të cdo vepre. Të katra këto hidrocentrale  kanë një fuqi të instaluar prej rreth 77 mega vat e barabartë kjo me 5.3 për qind të fuqisë totale të KESH-it. Në vitin 2010 sipas të dhënave zyrtare të paraqitura në relacionin shoqërues të projekligjit, të katër këto hidrocentrale prodhuan në total rreth 406 milionë kilovat orë energji gati 5.5 për qind të totalit që u prodhua në vend.

Korporata Elektroenergjetike realizoi vitin e kaluar një xhiro prej rreth 200 milionë euro që do të thotë se me këto katër hidrocentrale qeveria po shet në treg një biznes i cili gjeneron mesatarisht 10 milionë euro në vit të ardhura. Qeveria parashikon t’i shesë hidrocentralet brenda këtij viti dhe madje në relacion thotë se paratë e arkëtuara do të përdoren për të financuar investimet e vitit 2011. Kjo praktike mund t’u hape rrugen te tjera shitjeve të mëdha ne fushen e energjitikes. Vetem nje jave me pare kryeministri Berisha, ndersa paralajmeroi nje fushate te re privatizimesh deklaroi se qeveria do te mbaje ne pronesi vetem digat, shkollat, spitalet dhe token publike.

Ndryshe nga privatizimet e tjera, këtë herë duket se shkaku i shitjes së pronës publike nuk është më vetëm përmirësimi i menaxhimit dhe ulja e korrupsionit, por ndoshta një tjetër shkak mund të jetë ai i nevojës për të financuar shpenzimet e buxhetit dhe për të mbajtur nën kontroll borxhin e rritur publik.   

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA