Stërvitja e NATO-s në Karaburun

30/05/2011 23:00

Pashalimani në ditët e tij të fundit, është vizituar nga mjetet lundruese më moderne të kohës, mjete që shkelin për herë të parë territorin e ujërave shqiptare. Forcat detare shqiptare u trajnuan në përdorimin e amfibëve, që ishin edhe fokusi i stërvitjes.

Një stërvitje detare e përbashkët midis forcave angleze, holandeze e shqiptare janë pjesë e manovrave për të ardhur në ndihmë kryesisht të civilëve, në kohë post krizash. Një ushtrim që edhe pse nuk është pjesë e një episodi lufte, është pjesë po aq e rëndësishme në ndihmë të civilëve. Një demostrim paqeje, me mjetet më moderne.

Presidenti i Republikës, deklaroi se Shqipëria nga dalja nga sistemi komunist, ka arritur shumë si një partenere e NATO-s.

Edhe ambasadorja britanike në Shqipëri e konsideron të jashtëzakonshme standartin e ushtrisë shqiptare, por ajo kthehet në konfliktin e ditës në Shqipëri dhe kërkon t’i jepet një zgjidhje për t’i hapur rrugë integrimit.

“Besoj se janë të gjithë dakort se ky është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë. Sic e theksoi edhe presidenti Topi, është e jashtëzakonshme, se si ka ecur Shqipëria, nga ditët e izolimit deri në anëtarësimin në NATO. Ne si Britani e Madhe dëshirojmë që integrimi drejt BE-së të vazhdojë dhe ne shpresojmë që procesi të ecë. Por procesi zgjedhor duhet të vlerësohet sic duhet, që të vazhdohet me reformat e tjera”, tha ambasadorja britanike, Fiona McIlwham

Ministri i Mbrojtjes Imami e ka transmetuar atë cka ndoqi me ambasadorët britanik e holandeze paraditen e së hënës si dhe me Presidentin e Republikës, si një ndihmë dhe eksperiencë për forcën detare shqiptare, megjithatë duke qenë se ka parë në stërvitje edhe amfibat lundruese pranon se Shqipëria nuk ka ambicie deri në këtë pikë edhe pse sipas tij forcat detare dhe ato ajrore po modernizohen me shpejtësi.

Trupat në stërvitje dalloheshin për kombësine e tyre, nga ngjyra e beretës, por nëse nuk do ta dije një element të tille do të dukej vec një pjesë e flotës së Aleancës së Atlantikut. Shqipëria së shpejti do të ketë tre anije të shpejta luftarake dhuratë e holandezëve.

Top Channel