KQZ, ankime për Tiranën

30/05/2011 16:25

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u diskutua me orë të
tëra në parim për 4 kërkesa ankimore, që në thelb kundërshtojnë
rezultatin e Tiranës.

Së pari, Partia Demokratike i ka kërkuar KQZ të bëjë rivlerësimin e të tëra fletëve të kontestuara. Këto fletë në fakt janë vlerësuar njëherë, sepse Kodi Zgjedhor parashikon që në rast kontestimi nga anëtarët e grupeve të numërimit, KZAZ-ja bën vlerësimin në cast të secilës fletë të kontestuar. Por cështja është se demokratët kanë pasur shumicën vetëm në gjysmën e KZAZ-ve.

Ndaj përfaqësuesit e Partisë Demokratike mendojnë se me forcën e kartonit KZAZ-të me shumicë të majtë mund të kenë marrë vendime në kundërshtim me interesat e zgjedhësve. Partisë Demokratike i lind ligjërisht e drejta të kërkojë rivlerësim, përderisa në libra protokollesh janë lënë indicie.

Kërkesa e Partisë Demokratike përfshin edhe fletët e hedhura në kutitë e gabuara, që u vlerësuan nga KQZ përpara disa ditëve. Sipas Partisë Demokratike, KQZ në atë moment nuk bëri rivlerësim, por vetëm numërim të disa fletëve që nuk ishin numëruar më parë. Në total Partia Demokratike ka kërkuar rivlerësim për 143 qendra votimi në Tiranë, 117 që u morën në shqyrtim nga KQZ gjatë ditëve të shkuara dhe 26 qendra të tjera. Më të thjeshta janë kërkesa e partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë dhe 2 kërkesat e Partisë Socialiste.

Në këto kërkesa kërkohet pavlefshmëri absolute e vendimit të KQZ-së për nxjerrjen e tabelës përmbledhëse të njësisë bashkiake numer 5 dhe pavlefshmëri e tabelës përmbledhëse të bashkisë Tiranë. Të dyja këto tabela rezultatesh u hartuan pikërisht pas numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të administrojë në cilësinë e provës librat e protokollit për 26 qendrat të reja të votimit paraqitur nga Partia Demokratike. Ndërkohë që vlerësoi se e njeh problemin në 117 qendrat e para, me të cilat u mor ditët e shkuara. Mbledhja për këto kërkesa ankimore do të vijojë të martën.

Top Channel