Demaci: Jo turpit nga identiteti shqiptar

30/05/2011 20:00

Për aktivistin e njohur Adem Demaci, prapambetja e kombit shqiptar ka ardhur për shkak se ai ka humbur identitetin e tij.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Demaci është shprehur se shqiptarët nuk duhet të kenë turp nga identiteti i tyre.

“Kudo ku janë shqiptarët nuk ka rregull, ka grindje dhe ata mundohen të imitojnë të huajt. Ne kemi nevojë për shqiptarë dhe s’duhet të kemi turp për këtë që jemi”, ka deklaruar Demaci.

Sipas tij, në të kaluarën shqiptarët kanë pasur figura të spikatura, të cilat kanë pasur influencë në vendet perëndimore.

“Shqiptarët ishin ushtarët më të mirë të Romës, të otomanëve. Shqiptarët ndihmuam grekët kur kishin nevojë, gjysma e deputetëve të Parlamentit grek ishin ishin shqiptarë”, ka pohuar Demaci, duke nënvizuar se problemet kanë ardhur nga etja për pushtet.

“Kur ke një njeri që në të kaluarën nuk i janë plotësuar dëshirat, atëherë atij sapo t’i jepet mundësia do t’i plotësojë ato. Kur ata vijnë në pushtet duan t’i realizojnë të gjitha”, ka nënvizuar Demaci.

“Por populli ynë sot është pjekur dhe është koha e duhur që të thuhet e vërteta e hidhur. Tjetër ilac nuk ka”, ka shtuar ai.

Top Channel