Shtohen borxhet për shqiptarët

24/05/2011 08:00

Pas shumë negociatash dhe marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Islamike për Zhvillim IDB, hyn në fuqi kredia me vlerë rreth 223 milionë dollarë, për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Për herë të parë, Ministria e Financave deklaron se rruga, përfshi edhe 2.3 kilometrat e tunelit, do të kushtojë rreth 497 milionë dollarë, ku një pjesë e mirë sigurohet nga IDB-ja, pakt që u konkretizua dje, me miratimin që i bëri Komisioni parlamentar i Ekonomisë, marrëveshjes në fjalë.

Pjesa e mbetur e financimit është rënë dakord në parim të financohet nga të tjera institucione financiare të botës arabe, në kuadër edhe të një protokolli të firmosur në janar nga qeveria shqiptare.

Pra, mund të thuhet me siguri se mbi 90 për qind e rrugës, rreth 31 kilometra do të ndërtohet falë mbështetjes së bankave arabe, si IDB, Fondi Kuvajtian, ai i Abu Dhabit, i OPEC dhe Fondi Saudit për Zhvillim, kurse pjesa e mbetur do të merret përsipër nga qeveria shqiptare, e cila sakaq ka nisur të paguajë firmat private, në pritje të marrëveshjeve.

Komisioni parlamentar i Ekonomisë u mblodh dje, pas rreth dy muajsh pushim “fushate”, për të miratuar projektligjin që parashikonte ratifikimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe IDB-së.

Sikurse thamë, vlera totale e rrugës arrin rreth 500 milionë dollarë, por financimi do të sigurohet nga disa burime, ku i pari u finalizua dje, me miratimin e marrëveshjes.

Në komision mungonte opozita, e cila është e angazhuar me çështjen e numërimit të votave në KQZ. Më herët, socialistët kanë deklaruar se nuk do ta njohin qeverinë, në rast se manipulohet vota e Tiranës dhe mesa duket, reagimet e para vijnë me mungesën e djeshme në Kuvend.

Top Channel