Interesat e larta bankare, Fullani fajëson përmbarimin

24/05/2011 16:10

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani i quajti të pabaza
krahasimet për interesat e bankave shqiptare dhe atyre të rajonit, për
sa kohë që sistemi bankar në Shqipëri, sipas tij po përballet me një
problem madhor.

“Kur krahasojme Shqiperine me vendet e rajonit, duhet te jemi koshientë se ka akoma dobesi per sistemin bankar dhe financiar, si persa i perket regjistrimit te kolateralit, ekzekutimi i kolaterialit, qe perben problem madhor dhe kerkon nderhyrje të rëndësishme strukturore”, tha Fullani.

Guvernatori i kërkoi qeverisë dhe parlamentit të forcojnë ligjin dhe të bëjnë funksional sistemin e përmbarimit, duke shpjeguar dhe arsyet se pse kjo është e domosdoshme.

“Bankat duhet te jane te qarta, investitoret duhet të jenë të qartë, tregu duhet ta ketë të qartë qe kur ti vepron dhe le dicka peng per te marre kredi ne banke, ky peng ne kushtet e mosrealizimit te huadhenies, te ekzekutohet”, tha Fullani.

Fullani tha se nëse Shqipëria nuk do të ndërhyjë urgjentisht në këtë drejtim, ekonomia do të marrë kostot të larta.

“Nëse bankat nuk zbatojne ekzekutimin e kolateralit merr fund aktiviteti kreditues i një banke”, tha Fullani.

Këto deklarata Fullani i bëri në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku paraqiti raportin vjetor të 2010, në prezencë vetëm të deputetëve të mazhorancës.

Top Channel