Dogana, falja e detyrimeve

24/05/2011 16:30

Të gjithë qytetarët që kanë importuar një automjet deri në dhjetor të
vitit 2010, por nuk kanë paguar ende detyrimet doganore duhet të
paraqesin me shkrim një kërkesë pranë doganës, për të përfituar faljen e
gjobave dhe 50 për qind të detyrimit.

“Nuk ka nevojë për formular. Është një kërkesë e thjeshtë me shkrim, pro duhet pbasghkangjitur mandat pagesë e pageses së detyrimit. Shtetasit të paraqiten pranë zyrave për të bërë pagesat”, tha Ervina Domi, Drejtore Juridike e Doganave

Për bizneset ligji parashikon një procedurë tjetër. Të gjitha ato sipërmarrje, borxhi doganor i të cilave ka lindur para vitit 2008, nuk kanë nevojë të paraqiten në doganë, pasi do të falen automatikisht te gjitha detyrimet dhe gjobat. Ndërsa për borxhet e lindura pas 2008 skema është e njëjtë me atë të automjeteve.

“Të gjithë operatorët ekonomikë, borxhi i të cilëve ka lindur gjatë vitit 2009, do të përfitojnë nga falja nëse ata do të paguajnë 50 përqind të detyrimit të papaguar. Për debitorët, borxhi i të cilëve ka lindur gjatë vitit 2010 dhe janë evidentuar deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, përfitojnë nga falja nëse paguajnë 100 përqind  të detyrimit të papaguar, duke përfituar nga gjobat dhe kamatë vonësat për gjobat e prapambetura”, tha Domi.

Të gjitha ato biznese apo individë që kanë detyrime të pashlyera ndaj doganave duhet të paraqesin kërkesat në degët doganore para dhjetorit të këtij viti për të përfituar nga falja.  

Top Channel