Akciza rrit të ardhurat

24/05/2011 08:30

INSTAT në raportin e publikuar dje, i ka kushtuar vëmendje edhe peshës që zë taksa e akcizës në mallrat e importit.

Një pjesë e të ardhurave që krijon dogana vjen nga taksa e akcizës, e cila vitin e kaluar pësoi rritje për disa produkte dhe nënprodukte bazë të lëndës së parë.

Kështu, në muajin prill 2011, importi i mallrave me akcizë arriti në vlerën e rreth 5 miliardë e 853 milionë lekë (gati 60 milionë dollarë), që sipas Institutit të Statistikave, zë një peshë prej gati 12.8 përqindësh ndaj totalit të importit.

Krahasuar me muajin mars, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 26.7 përqindësh, ku peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara, prej rreth 77.5 përqindësh, e zënë nënproduktet e naftës.

Kujtojmë se nafta dhe benzina pësuan rritje të çmimit, konfirmim që vjen edhe nga të ardhurat në doganë. Në raport thuhet se, tregtia me vendet e BE, ku 80 për qind përdoret monedha euro është rreth 70 për qind, ku partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia.

Me Italinë eksporti është 61.4 për qind dhe importi 28.9 për qind, ndërsa me Greqinë, eksporti është 5.6 për qind dhe importi 10.8 për qind.

Top Channel