Një video që është postuar në YouTube e më pas publikuar edhe në faqet
online të disa gazetave dhe në televizione, tregon Lulzim Bashën
kandidatin e së djathës për kryetar bashkie në Tiranë, gjatë një takimi
në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, kur një pedagoge i drejtohet
me akuza për 21 janarin.
Materiali filmik 70 sekonda i hedhur në internet tregon pedagogen Flora Haneli, e cila ka ndërprerë fjalën e zotit Basha, duke e quajtur ‘vrasës’. “Ke 6 vjet në krye të problemeve e s’po i zgjidh. Ti ke krijuar probleme dhe kriza të tmerrshme për vendin”, tha pedagogia.
Në komunikatën e shpërndarë nga zyra e shtypit pranë kandidatit Lulzim Basha, ku raportohen të gjitha aktivitet e zhvilluara, nuk përmendet incidenti në fjalë.
Por pas bërjes se tij publike, Top Channel i kërkoi një prononcim zyrtar shtabit elektoral të zotit Basha.
“Lulzim Basha po takon cdo ditë me kënaqësi qytetarët e Tiranës kudo dhe në cdo cep të saj. Sic duket edhe nga kaseta, shumica e studentëve të pranishëm në takimin e sotëm ishin kundër qendrimit të pahijshëm të asaj gruaje”, thuhet në reagimin e zyrës së shtypit të kandidatit Basha.
Top Channel