Vëzhguesit vendore, kritika KQZ-së

01/05/2011 15:00

Vendimi i KQZ-së për t’i detyruar mediat të pranojnë materiale filmike të prodhuara nga vetë partitë apo shtabet e kandidatëve ka marrë kritika edhe nga raporti i fundit i vëzhguesve vendorë.

“Vendimi 460 i KQZ-së për pranimin e kasetave infuencon në linjën editoriale të medias duke kompromentuar gjithashtu rolin dhe misionin e saj për transparencë dhe informim të vërtetë të qytetarëve”, tha Gerta Meta nga shoqata për Kulturë Demokratike.

Ndërsa për Bordin e  Monitorimit të Medias raporti shpreh rezerva  pasi ky Bord nuk ka trajnuar dhe as nuk ka infrastrukturë në dispozicion për monitorimin e fushatës në mediat lokale.

 

Raporti i vëzhguesve vendorë

Sikurse edhe në raportin e ODIHR Koalicioni Vëshguesve Vendorë shpreh shqetësimin për një sërë vonesash e mangësi në qendrat e votimit ku në 900 qendra ka mbi 1000 votues, që është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, përfshi disa qendra votimi që nuk përmbushin kushtet e nevojshme për kryerjen e procesit të votimit.

Gjithashtu raporti thotë se ka raste ku listat e votuesve janë vendosur në ambiente ku qytetarët nuk kanë mundësi të kontrollojnë emrat.

Listat nuk janë dorëzuar në afatin e parashikuar nga kodi madje ka patur raste kur njësitë vendore pas afatit përfundimtar më datë 8 prill kanë bërë ridepozitimin e listës përfundimtare të zgjedhjeve me shtesa, sic është rasti Bashkisë Himarë. Edhe kjo një tjetër shkelje e Kodit Zgjedhor.

Nga informacinet e mbledhura në tërren Koalicioni Vëshguesve Vendorë ka vërejtur se kandidatët kanë deklaruar një sërë premtimesh që u bëhen zgjedhësve, shpesh jashtë cdo lloj kompetence  apo juridiksioni të qeverisjes vendore.

Mosngritja e Komisioneve të Qendrave të Votimit, jo vetëm shkel hapur afatet ligjore të parashikuara, theksohet në raport, por  mund të sjellë edhe pasoja aspak pozitive në administrimin e procesit në komisionet e niveleve të treta, pasi ka mbetur fare pak kohë për trajnimin e rreth 40,000 komisionerëve.

Pjesmarrja e administratës lokale dhe qendrore në aktivitetet e partive shikohet në raport si një tjetër problem i cili pavarësisht  urdhërit të kryeministrit për ndalimin e përdorimit të administratës apo aseteve publike vijon.

Raporti thekson se konstatohen presione ndaj nënpunësve për të votuar një subjekt të caktuar politik, ndërkohë që konstatohet se stafet e mësuesve dhe nxënësve detyrohen të marrin pjesë në tubime elektorale.

Pjesëmarrja e ulët e kandidateve femra në zgjedhje apo në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve me vetëm 26%  shikohet nga Koalicioni Vëzhguesve Vendorë si problem i trashëguar nga zgjedhjet e shkuara që vjen nga angazhimi i vakët i grave në politikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA