PS: Basha me 7 pasaporta

30/04/2011 16:05

Partia Socialiste ka vijuar së denoncuari të ashtuquajturën aferën e
pasaportave të përdorura nga Lulzim Basha kandidat i Partisë Demokratike
për Tiranën, pasi ka mundur të sigurojë një dokument nga sistemi Tims.

Dokumenti i bërë publik nga deputeti Erion Brace tregon me detaje të gjithë numrat dhe datat e lëshimit të 7 pasaportave lëshuar për përdorim shtetasit Lulzim Basha, tre të zakonshme dhe katër diplomatike. 7 pasaportat janë lëshuar gjatë periudhës kohore 13 dhjetor 1995 dhe 10 maj 2010.Sipas zotit Brace nga analizimi i këtyre të dhënave rezulton se këto pasaporta janë përdorur nga zoti Basha, madje njëra prej tyre edhe për blerjen e shtëpisë në Hollande.

“Per periudhen 4 gusht 1997 deri më 4 gusht të vitit 2002, Lulzim Basha ka disponuar dhe ka përdorur njëherësh dy pasaporta. Për periudhën 29 maj 2002 deri më datën 4 gusht 2002, Lulzim Basha ka disponuar tre pasaporta. Për periudhën 10 tetor 2003 deri më 10 tetor 2008, Basha ka disponuar 4 pasaporta, tre nder të cilat diplomatike. Për periudhën 10 tetor e në vijim, Basha disponoi tre pasaporta diplomatike. Identitetin e shumëfishtë, ministri e ka përdorur që në vitet 90-të, për të udhëtuar apo për të përfituar pasurit të ndryshme “, u shpreh Brace.

Në pasaportën e zotit Basha që është përdorur për blerjen e shtëpisë në vitin 2001 ndodhen dy vula shtyrje të afatit të përdorimit, por zoti Brace duke ju referuar dokumentit të sistemit të TIMS Brace hedh dritë mbi këtë fakt.

“Basha pretendon se ka bërë dy herë shtyrje afati në vitin 2001 e  2002, por në sistem këto dy shtyrje nuk ekzistojnë”, tha Brace.

Erjon Brace nga selia e PS-se i ka drejtuar përsëri kandidatit Basha disa pyetje pasi sic tha ai qytetarët janë të parët dhe përgjigja e Bashës duhet të jetë e para. Zoti Basha ka deklaruar ne media se perdorimi i disa pasaportave eshte i justifikuar nga nje vendim i ish ministrit te Jashtem Paskal Milo ne vitin 1998. Zoti Milo me pas ka sqaruar po ne media se vendimi ka qene i perkohshem dhe kishte lidhje me periudhen e luftes ne Kosove.

Top Channel