Ari tretet në mister

30/04/2011 15:00

Historia e rezervave të arit ka qenë e mbushur me ngjarje të bujshme që nga vitet e para të lindjes së shtetit shqiptar.

Që nga akuzat ndaj mbretit Zog në 1939 dhe deri tek ngjarja e Krrabës në vitin 1997, rezervat shtetërore të floririt kanë qenë subjekt i ngjarjeve të mbuluara me mister për publikun.

Por sa flori ka me të vërtetë Shqipëri? Top Channel i referohet të dhënave të sapo publikuara nga Këshilli Botëror i Arit. Sipas tyre në fund të  2010-ës rezervat e arit shqiptar ishin në total 1.6 tonë. Krahasuar me vitin 2000 ato janë ulur me mbi dy herë.

Por pavarësisht përgjysmimit në sasi vlera monetare e tyre është rritur për shkak të rritjes së fortë të cmimit për metalin e cmuar në tregjet ndërkombëtare. Sipas të dhënave aktualisht ari shqiptar vlen 71.1 milionë dollarë nga 33.2 milionë që ishte në vitin 2000.

Rezerva kombëtare administrohet nga Banka e Shqipërisë. Ajo vendos se si i mban ato, në valutë apo flori. Në total Shqipëria ka 2.5 miliardë dollarë rezervë kombëtare. Prej këtyre vetëm 2.8 për qind mbahen në ar, pjesa tjetër është në monedha të huaja si euro dhe dollar.

Vende të ndryshme zbatojnë politika të ndryshme për rezervën kombëtare.Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth 56 për qind të rezervës e mbajnë në ar. Edhe Gjermania ndjek të njëjtën politikë me gati 41.2 për qind të rezervës totale në flori.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria është një nga vendet me rezervat më të ulëta të floririt për frymë popullsie me vetëm rreth 20 dollarë për frymë. Në Zvicër ky tregues është 6 mijë dollarë ndërsa në Gjermani, Itali dhe France rreth 1800 dollarë. Për vite me radhë Shqipëria është mbajtur si një vend i pasur në flori, madje në disa nga librat e fillimit të shekullit të kaluar thuhej se rezervat shqiptare të arit në 1920, llogariteshin në 320 tonë, por një shekull më pas ato janë tkurrur me qindra herë.

Top Channel