Fondacioni “Dritan Hoxha”, nis konkursi

29/04/2011 20:15

Fondacioni mediatik “Dritan Hoxha” ka shpallur konkursin vjetor të gazetarisë së shkruar për studentë dhe diplomantë të degës së gazetarisë dhe komunikimit.

Fituesi i artikullit më të mirë, që do të vlerësohet nga një juri gazetarësh profesionistë, do të marrë cmimin prej 1000 eurosh dhe shkrimi do të publikohet në gazetën “Shqip”. Për t’u lënë hapësirë ideve, tematika është e lirë.

Drejtues të fondacionit dhe pjesëtarë të jurisë kanë zhvilluar disa takime me të rinjtë e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, për t’i njohur ata më nga afër me synimet e projektit, si dhe për të shkëmbyer opinione në lidhje me ecurinë e gazetarisë vendase.

“Kemi ardhur për një bisedë informuese e inkurajuese që të merrni pjesë në këtë konkurs. Qëllimi ynë është promovimi i të rinjve në fushën e gazetarisë, komunikimit masiv, etj”, ka deklaruar Vjollca Dako, drejtoreshë e fondacionit.

Shkrimet, të cilat duhet të jenë të pabotuara, aplikantët mund t’i dorëzojnë brenda datës 15 maj, pranë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës.

Top Channel