Berisha: Gjirokastra, qendër turizmi

29/04/2011 22:55

Në Gjirokastër, një nga kryeqendrat shqiptare të trashëgimisë kulturore botërore, Partia Demokratike mbështet kandidatin e LSI-së, Genci Sinoimeri, i cili premton ngritjen  qytetit të tij në lartësinë historike që meriton. (UPDATE)

Në rrethin e Gjirokastrës, sipas kryeminsitrit në këto 5 vjet është investuar 30 herë më shumë sesa bëri qeveria socialiste në 8 vjet dhe me përfundimin se shpejti të disa akseve të reja rrugore dhe restaurimin e të gjitha banesave trashëgimi kulturore, zoti Berisha tha se Gjirokastra do te shndërrohet në një nga epiqendrat e turizmit kulturor, ashtu si gjithë Shqipëria po ndryshon cdo ditë për shkak të punës dhe mbështetjes së shqiptarëve për refomat e qeverisë së tij.

“Kjo është alternativa jonë. Kjo rrugë ka brenda rrugën e gjithësecilit. Mundin, mendjen, përkushtimin e gjithëscilit prej jush, që bëri që Shqipëria në 20 vite të shkëputet me shpejtësi nga honet e historisë dhe të ngjitet e sigurtë drejt niveleve të larta të zhvillimit. Roma nuk u ndërtua për një ditë. Por ju garantoj, ju të dashur gjirokastritë se askush nuk ka ndërtuar më shumë se ju, më shumë se shqiptarët në një kohë kaq të shkurtër”, tha Berisha.

Gjirokastrën, kryeministri Berisha e konsideroi një vend ideal për të shprehur mirënjohjen ndaj minoriteteve që jetojnë në këtë zonë, por gjithashtu edhe ndaj të gjithë emigrantëve shqiptarë, të cilët i ftoi të kthehen në Shqipëri, për të ndërtuar këtu, së bashku me bashkëqytetarët Shqipërinë europiane.

“Se bashku, me besim të madh te njëri-tjetri,  le të bashkohemi në këtë alternativë, për të lartësuar cdo ditë godinën tonë europiane në Gjirokastër, Tepelenë, Tropojë, Kukës, Tiranë, në mbarë Shqipërinë”, deklaroi kryeministri.

Në Gjirokastër kryeministri Berisha anashkaloi cdo koment për opozitën, por këtë e bëri duke i dhënë një mesazh drejtuesve të saj, që e akuzojnë cdo ditë për keqqeverisje.

“Por dua t’u them këtyre shokëve, të mos merziten, se sot dhe përsa kohë Sali Berisha të jetë në politikë, nuk do të flasë për gjë tjetër vec për rrugët dhe sokaket tuaja, për shkollat dhe kopshtet e fëmijëve tuaj, ujësjellësat tuaj, për bulevardet, kanalizmet tuaja, për bulevardet dhe rrugicat tuaja, për ullishtet, fermat dhe suksesin tuaj, për cdo gjë që ka të bëjë me mirëqënien tuaj”, u shpreh Berisha.

Ftesa e kryeministrit për shqiptarët ishte bashkimi i tyre, pavarësisht bindjeve politike, rreth koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.

“T’í shndërrojmë këto zgjedhje në fitore për shqiptarët dhe shqiptart fitojnë kur votojnë si europiane. Fitore”, deklaroi lideri i mazhorancës.

Top Channel