Siria, 5 vende të BE thërrasin ambasadorët

27/04/2011 16:45

Pesë vende anëtare të BE kanë thirrur ambasadorët e Sirisë të akredituar në shtetet përkatëse për të dënuar dhunën e ushtruar së fundmi nga Damasku ndaj protestuesve anti-qeveritarë.

Lajmin e ka bërë të ditur qeveria franceze, e cila ka saktësuar se përvec Francës, vendet që kanë ndërmarrë këtë nismë janë Italia, Britania, Gjermania dhe Spanja.

Më herët, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon dënoi ashpër Sirinë për përdorimin e tankeve dhe municioneve ushtarake ndaj protestuesve.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se në qytetin jugor të Derasë, ku morën dhenë dhe protestat, ka ende të shtëna.

Shumë tanke thuhet se janë drejtuar për në këtë qytet, ku trupat ushtarake sulmuan të hënën manifestuesit anti-qeveritarë.

Mbi 450 persona në të gjithë Sirinë mendohet të jenë vrarë që nga nisja e protestave pro-demokratike rreth gjashtë javë më parë.

Top Channel