SHBA, Petraeus në krye të CIA-s

27/04/2011 16:30

Gjenerali David Petraeus, komandant i forcave ndërkombëtare në Afganistan, do të emërohet drejtor i CIA-s kur drejtuesi i agjencisë të bëhet shef i Pentagonit.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, të cilat u referohen burimeve amerikane që kanë preferuar të mbeten anonime.

Drejtori aktual i CIA-s, Leon Panetta do të emërohet për drejtimin e Departamentit të Mbrojtjes, pasi sekretari aktual Robert Gates të tërhiqet më vonë gjatë këtij viti.

Sipas burimeve, ndryshimet në fjalë do të njoftohen zyrtarisht ditën e enjte. Gates u caktua për herë të parë si sekretar i Mbrojtjes nga presidenti George W Bush në vitin 2006.

Ndryshimet në postet kyce për sigurinë kombëtare janë bërë prej disa javësh objekt spekulimesh.

Presidenti Barack Obama do të emërojë gjithashtu diplomatin veteran Ryan Crocker si ambasadorin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në Afganistan.

Lajmin për këtë të fundit e bën të ditur NBC News, që saktëson se ky emërim kërkon edhe konfirmimin nga Senati amerikan.

Top Channel