Gedafi sulmon Misuratan

27/04/2011 01:15

Misurata u sulmua sërish nga ushtarët e Muamar Gedafit, në përpjekje për të vënë nën kontroll qytetin e rrethuar.

Tre persona u vranë  pasi raketat goditen portin, rruga e shpetimit për banoret që duan të largohen drejt Bengazit.

NATO po përpiqet të zbatojë rezolutën e Kombeve të Bashkuara, në mbrojtje të civilëve në Libi.
Misurata prej dy muajsh mbahet e rrethuar nga besniket e Gedafit. Gjatë kësaj kohe disa zona të qytetit nuk kanë patur as ujë të pijshëm e as energji elektrike.  Të shtënat e snajperave, përleshjet e armatosura në rrugë apo artileria i kanë ndaluar njerëzit të dalin jashtë shtëpive për të marrë ushqime apo ilace.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se mbi 1000 persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur në Misurata.

Më herët avionët e NATO-s bombarduan kompleksin e kolonelit në Tripoli, që pason shpërthimet e së hënës në Bab Al Azizija të cilat zëdhënësi i qeverise libiane, Musa Ibrahim i etiketoi si përpjekje për të vrarë kolonelin dhe politikanë të tjerë.

Bombardimet në Tripoli u kritikuan ashpër nga kryeministri rus, Vladimir Putin i cili tha se koalicioni perëndimor nuk ka asnjë mandat të vrasë Muamar Gedafin.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gejts, të martën gjatë një konference për shtyp kundërshtoi se NATO synon të vrasë liderin e Libisë.

Ndërkohë është mësuar se Libia po përfiton nga situata dhe po importon benzinë nga kompania italiane Saras. Ngarkesa është e ligjshme sepse blerësi, kompania libiane GNMTC, nuk është e përfshirë në listën e zezë të OKB-së.

Top Channel