Europa: Të veprohet në Siri

27/04/2011 09:30

Vendet europiane bëjnë thirrje për masa të ashpra për të ndaluar represionin e Sirisë, ku qeveria po i kundërvihet protestave paqësore.

Përmes një deklarate të përbashkët, Franca dhe Italia i kërkuan Bashkimit Europian dhe Kombeve te Bashkuara të ushtrojnë presion ndaj Sirisë.

“Së bashku i dërgojmë një thirrje të fortë autoriteteve të Damaskut të ndalojnë shtypjen e dhunshme të protestave paqësore dhe u kërkojmë të gjitha paleve të veprojnë me gjakftohtësi”, u shpreh Silvio Berlusconi, kryeministri italian.

“Jam dakort me Berluskonin për faktin se situata në Siri është bërë e papranueshme. Ka një vullnet për liri dhe demokraci të shprehur nga populli arab, e demostruar në mënyrë paqësore dhe nga ana tjetër nuk mund të dërgosh ushtrinë kundër protestuesve. Nuk mund t’i qëllosh ata, kjo është e papranueshme”, theksoi Nicolas Sarkozy, kryeministri francez.

Presidenti fracez theksoi se vendi i tij nuk mund të ndërhyjë në Siri pa një rezolutë të miratuar nga Këshilli i Sigurimit. Përveç Francës dhe Italisë edhe Britania e Madhe po punon për t’i dërguar një sinjal të fortë Damaskut.

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve. Më herët, Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëroi të gjithë qytetarët të qëndrojnë larg nga Siria dhe të gjithë ata që ndodhen atje të largohen menjëherë. Stafi jo-kryesor i ambasadës amerikane në Damask dhe të gjithë vartësit duhet të largohen nga vendi.

Në qytetin e Deraa-s janë dëgjuar sërish breshëri armësh një ditë pasi ushtria përdori tanket. Në një deklaratë të agjensisë shtetërore të lajmeve thuhet se ushtarët kanë dërguar ushtarë në qytete të ndryshme pas kërkesës së qytetarëve të shqetësuar nga ekstremistët e armatosur.

Deraa konsiderohet si zemra e revoltës kundër presidentit Bashar Al Asad. Ditët e fundit ka raportime të shumta për arrestime në Siri, pavarësisht heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Top Channel