Italia dhe Franca: Të ndryshojë Shengen

26/04/2011 21:25

KE refuzon, por lejon rikthimin e kontrollit kufitar

Filloi me një shtrëngim gati të ftohtë duarsh takimi mes kryeministrit Silvio Berlusconi dhe presidentit francez Nicolas Sarkozy mbi temën e emigracionit.

Por në përfundim të bisedimeve, mes dy liderëve pati një përputhje të plotë idesh dhe pikëvështrimesh.

“A nuk është adaptimi i institucioneve europiane një gjë normale? A nuk ishte Shëngen një ndryshim i asaj që ekzistonte më parë? E gjitha kjo është plotësisht normale. Të gjithë ata që kundërshtojnë çdo evolucion të Shëngenit janë ata që nuk e duan atë”, është shprehur Sarko.

“Në rrethana të veçanta, të dy vendet besojnë se duhet të ketë ndryshime në Marrëveshjen e Shengenit dhe ne vendosëm të punojmë për këtë se bashku”, theksoi Berlusconi.

Ideja italo-franceze është një modifikim i traktatit të Shengenit, kryesisht në situata të jashtëzakonshme. Prandaj iu dërgua një letër kryetarit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso pikërisht mbi këtë propozim. Komisioni europian u përgjigj se pezullimi i traktatit të Shengenit nuk është një opsion, është diçka e pamundur.

Por është e munduar ama një rifutje e përkohëshme në fuqi e kontrolleve në kufij. Takimi italo-francez u bë i nevojshëm pas ballafaqimit mjaft të fortë mes qeverive të dy vendeve lidhur me kalimin në Francë të emigrantëve që mbërritën javët e fundit në ishullin siçilian të Lampeduzës.

Pikërisht pajisja e emigrantëve me lejeqendrime të përkohshme nga autoritetet italiane, lejeqendrim që i lejonte të qarkullonin në të gjitha vendet e zonës Shengen, hapi një mosmarrëveshje shumë të fortë me Francën.

Mosmarrëveshje që mesa duhet, pas takimit të fundit janë kapërcyer më së miri.

Top Channel