Xhamia e Plumbit, një nga më të vjetrat në qarkun e Shkodrës, u përmbyt disa herë gjatë vitit që shkoi.
Një situatë e përsëritur në kohë të ndryshme, që ka nxitur specialistët të lëshojnë alarmin e shkatërrimit. Shpresat për restaurimin e saj erdhën rreth një muaj më parë, nga një delegacion kuvajtian që vizitoi qytetin. Zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Rashid Al-Hammad, pas një vizite që i bëri kësaj xhamie u shpreh se do të lëvronin një fond për restaurimin e saj.
Nga specialistët e monumenteve, por edhe nga besimtarët (xhamia funksionon ende si objekt kulti), u pa si një ogur i mirë për zgjidhjen e problemit. Më shumë se një muaj pas këtij premtimi, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër, Ervin Gjini pohon se projekti i shpëtimit të xhamisë gjendet në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë. Sipas tij, fondi i premtuar është rreth 200 mijë euro, pjesa dërmuese e të cilit do të përdoret për drenazhimin e zonës përreth.
Xhamia e Plumbit është përmbytur disa herë ndër vite, duke dëmtuar jo vetëm strukturën e jashtme, por edhe pjesën e brendshme të saj. Pamjet që erdhën nga përmbytjet e fundit në Shkodër tregonin një xhami që lundronte në ujë. “Projekti është realizuar në bashkëpunim me Bordin e Kullimit të Ujërave në Shkodër. Rreth 170 mijë euro parashikohen të shpenzohen për stabilizimin e zonës përreth, në mënyrë që të shmanget përmbytja. Qëllimi kryesor i projektit ka të bëjë me kullimin e ujërave që vërshojnë në këtë objekt”, – thotë Gjini.
Ai nuk e ka ende të qartë nëse ky fond i ofruar nga qeveria kuvajtiane do të lëvrohet përmes Drejtorisë së Kulteve, Institutit të Monumenteve të Kulturës apo përmes Bashkisë së Shkodrës. Pas ndërhyrjes për sistemimin e kanaleve kulluese, do të jetë një shifër e vogël që do të përdoret për restaurim. Gjini thotë se rreth 30 mijë euro do të përdoren për të restauruar dritaret e drurit, për të bërë një ndërhyrje në ambientet e brendshme dhe në tamburin e xhamisë. Gjithashtu, do të bëhet edhe një pastrim i saj. Ndër vite janë bërë ndërhyrje të vogla, të cilat nuk e kanë ndryshuar shumë gjendjen, që është rënduar vit pas viti nga përmbytjet.
Në këtë xhami shkojnë ende pak besimtarë myslimanë të zhvillojnë ritet fetare, gjithmonë kur ua lejon koha. Ndërsa gjendja e saj e mjeruar ka bërë që ky monument kulture të mos ketë fluks vizitorësh, përveç ndonjë kureshtari që njeh historinë e saj. Në mungesë të fondeve për restaurimin e një sërë monumentesh kulti, Ministria e Kulturës është treguar e hapur edhe për bashkëpunimin me vende të tjera, siç ishte rasti i nënshkrimit të marrëveshjes me ambasadën turke në Tiranë për restaurimin e objekteve historike të traditës islame në Shqipëri.
Xhamia e Plumbit në Shkodër është monument kulture me vlera të veçanta arkitektonike dhe kulturore. Është ndër të rrallat objekte të kultit mysliman në Shqipëri e ndërtuar sipas stilit osman, ndryshe nga xhamitë e tjera që janë ndërtuar sipas stilit arab. E ndodhur në hyrje të qytetit, pranë kalasë “Rozafa”, xhamia nuk ka fluksin e turistëve që i takonte. Ndonëse njihet si Xhamia e Plumbit, ky objekt nuk ka më asnjë shtresë plumbi.
Plumbi që mbulonte kupolat e saj filloi të vidhej që rreth vitit 1900. Më pas, në kohën e pushtimit austriak, rreth viteve 1916-1917, organet ushtarake ia hoqën edhe shtresat e tjera të mbetura. E shpallur monument kulture që më 1948, i shpëtoi shkatërrimit të objekteve të kultit më 1967, kur u ndalua predikimi i fesë.
Në dhjetor 1990 aty u mbajt rituali i parë i fesë islame pas periudhës së ndalimit të saj. Xhamia e Plumbit – vazhdon të funksionojë si objekt kulti dhe sot – është ndërtuar në vitin 1773 nga Mehmet Pashë Bushatlliu, në atë kohë vezir i Shkodrës. Kubetë e saj u veshën të tëra me shtresa plumbi dhe gurët për ndërtimin e saj u sollën dorë më dorë nga populli. Xhamia është restauruar më 1863, më 1920 dhe më 1963.
Në vitin 1967, një rrufe dëmtoi minaren e saj, e cila ishte ndërtuar me gurë të latuar.
Top Channel