Topi: Të ndahemi nga e kaluara

18/04/2011 19:50

Presidenti Bamir Topi, i shoqëruar nga ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, përfaqësuesi i prezencës së OSBE dhe ambasadori i Komisionit Europian, ka dhënë nga qyteti i Vlorës mesazhe për procesin zgjedhor të 8 majit.

Në fjalën e mbajtur në universitetin Ismail Qemali, presidenti deklaroi se në 8 maj duhet të mbyllet kapitulli i zgjedhjeve të kontestuara.

“Pas 20 vitesh, ne përballemi ende me sfidën politike e qytetare për të organizuar e zhvilluar procese zgjedhore vërtetë të lira, të ndershme dhe demokratike. 8 maji është dita kur ky kapitull debatesh e kontestimesh duhet të mbyllet. Ky është urimi i gjithësecilit dhe natyrshëm për momentin është edhe interesi ynë madhor. Shqipëria e vitit 2011 i meriton zgjedhjet me standardet më të larta demokratike”, deklaroi Topi.

Ndërsa ambasadori amerikan, duke kërkuar një bashkëpunim politik, kujtoi rastin e Shteteve të Bashkuara, ku vetëm pak ditë më parë demokratët dhe republikanët ranë dakord për miratimin e buxhetit.

“Ata e dinin mirë se nëse nuk do ta miratonin, do të përballeshin direkt me qytetarët amerikanë”, theksoi ambasadori Arvizu.

Ndërsa përfaqësuesi i prezencës së OSBE-së në Tiranë, duke folur për rëndësinë e zgjedhjeve të 8 majit, deklaroi se nuk është gjë e mirë që zgjedhje të tilla shndërrohen në një lloj konkursi bukurie politike mes drejtuesve të partive.

“Kur ndodh një gjë e tillë, thelbi i vërtetë, rëndësia dhe vlera strategjike e kuptimit të vërtetë të vetëqeverisjes vendore, fatkeqësisht, zvogëlohet. Bëhet fjalë për jetën reale dhe administrimin e saj. ai permendi 5 institucionet e rendeshme te ketyre zgjedhjeve”, tha Wollfarth.

Ambasadori vlerësoi vendimin e televizioneve për të mos pranuar kasetat e partive, si dhe shprehu besimin se në zgjedhje Policia e Shtetit do të jetë në lartësinë e duhur, gjithashtu edhe misioni i OSBE-së për të cilin sugjeroi punën kolektive për të siguruar mjedisin e duhur.

Duke u ndalur te partitë politike, ambasadori kërkoi që partitë të bashkëpunojnë sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe të zbatojnë rregullat e lojës, për të cilat kanë rënë vet dakort në pranverën e vitit 2008.

Pra, është koha vetëm për politika dhe argumente konstruktive dhe jo koha për ‘sharje’ apo, më keq akoma, për incidente të dhunshme të panevojshme, nënvizoi Wollfarth.

“Dhe pasi zgjedhjet, më në fund të jenë zhvilluar, mendoj se ka nevojë urgjente për një reformë zgjedhore në kohën e duhur, në mënyrë që të hidhen themelet më të forta të mundshme për përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Përgatitjet duhet të fillojnë menjëherë pas mbarimit të këtyre zgjedhjeve”, shtoi Wollfarth.

Top Channel