Kolegji rrëzon KQZ

16/04/2011 12:25

Kolegji Zgjedhor ka hedhur poshtë modelin e fletës së votimit të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për proçesin elektoral të 8 majit.

Ky vendim është marrë pas kërkesës së Partisë Socialiste për anulimin e saj pasi KQZ e ka miratuar jo me shumicë të cilësuar siç e kërkon Kodi Zgjedhor, por vetëm me katër votat e përfaqësuesve të mazhorancës në këtë komision.

Në bazë të kësaj kërkese të PS-së qendrojnë dy pika, e para ka të bëjë me faktin se në fletën e votimit të miratuar nga KQZ e të hedhur poshtë nga Kolegji Zgjedhor, ndryshe nga kandidati Basha, kandidati Rama nuk kishte në krahë siglat e 23 subjekteve poiltike mbështetëse të tij, pjesë e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”.

Ndërkohë ankimimi i dytë që socialistët kanë bërë ka lidhje me kërkesën për vendosjen në fletë, të listës së kandidatëve për këshilltar bashkiak të “Aleancës për të ardhmen” përpara atyre të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, kjo për shkak të inicialeve.

Këto dy pika Kolegji Zgjedhor i ka shtyrë për shqyrtim në datën 18 prill duke patur parasysh që fleta e votimit e kthyer mbrapsht do të diskutohet dhe vendoset serish në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili nëse do të marrë parasysh kërkesat e PS-së për siglat e partive mbështetëse dhe vendosjen e koalicioneve, atëherë ankimimet në kolegj do të jenë të panevojshme.

Top Channel