Pamundësia e shtatzanive

15/04/2011 16:15

Çiftet të cilët nuk kanë fëmijë, duhet që paralelisht me kontrollin e femrës t’i drejtohen mjekut androlog për shëndetin riprodhues të mashkullit, gjë e cila ndodh fare rrallë për shkak të mungesës së informacionit.

Ndonëse nuk janë bërë studime, është në rritje numri i meshkujve që kanë probleme me shëndetin riprodhues.

“Njerëzit duhet të paraqiten tek mjeku dhe shumë nga këta kanë ardhur tek mjekët, kanë marrë këshilla dhe mjekime, janë operuar dhe kanë krijuar familje”, është shprehur mjeku urolog, Flamur Tartari.

Në një samit të zhvilluar në Tiranë me mjekë andrologë të huaj dhe shqiptarë mbi shëndetin ripordhues të meshkujve, janë theksuar metoda të moderuara të mjekimit të meshkujve në rastet me probleme.

“Ndërhyrjet urologjike datojnë për një periudhë 30-40 vjeçare në Shqipëri. Pra do të thotë se është një rrugë e gjatë, do të thotë se Shqipëria nuk është vetëm pjesë e kësaj fushe shkencore, por është pjesë e thellimit të saj. E rëndësishme është që çdo individë në kohën dhe momentin e duhur të kërkojë ndihmën mjekësore, sepse sot mundësitë për rikuperim pothuajse 100% janë shumë të mëdha”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Ai ka vlerësuar rëndësinë e samiteve të tilla ku mjekë të vendeve të ndryshme shkëmbejnë eksperiencat ndërmjet tyre duke ndikuar në nxitjen e edukimit të vazhdueshëm të mjekëve tanë.

Top Channel