Ministeriali i NATO-s, Haxhinasto vijon takimet

15/04/2011 21:30

Në vazhdim të Ministerialit të NATO-s në Berlin, Zv.Kryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto mori pjesë në takimin e Këshillit NATO-Rusi dhe NATO-Ukrainë.

Në sesionin NATO-Rusi, z. Haxhinasto theksoi nevojën e bashkëpunimit të NATO-s me Rusinë në të gjitha çështjet me interes të ndërsjellë dhe përshëndeti progresin e arritur deri më tani, bazuar në vendimet e marra në Samitin e Lisbonës.  Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Haxhinasto theksoi rëndësinë e Këshillit NATO-Rusi, duke veçuar bashkëpunimin për mbrojtjen raketore, zhvillimet në Libi, luftën kundër terrorizmit dhe përshtatjes së një Plani Veprimi në këtë drejtim.
 
Në takimin e Komisionit NATO-Ukrainë, zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Haxhinasto theksoi rëndësinë që Shqipëria i kushton procesit të reformimit të politikave të partneriteteve të Aleancës. Ai vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e rëndësishme që Ukraina u ka dhënë operacioneve të drejtuara nga Aleanca.  

Po ashtu, z. Haxhinasto vlerësoi arritjet e Ukrainës, veçanërisht në reformimin e sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes. Shqipëria, – tha z. Haxhinasto-  përshëndet marrjen e kryesisë së rradhës së OSBE-së nga ana e Ukrainës në vitin 2013 dhe vlerëson angazhimin e Kievit për t’u konsultuar me Aleancën, lidhur me prioritetet gjatë kryesimit të saj.
 
Gjatë punimeve të Ministerialit të NATO-s në Berlin, Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto pati takime me homologët e vendeve të NATO-s, si dhe vendeve partnere që janë të angazhuara me Libi, Afganistanin, etj.

Në këto takime, z. Haxhinasto trajtoi edhe një numër çështjesh mbi zhvillimet në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimeve në rajon. Në takimet me homologet e vet, z. Haxhinasto diskutoi mbi nevojën për rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Top Channel