Dy vdekje nga një çokollatë

15/04/2011 19:30

Dy familje krejt të zakonshme, të shkatërruara përgjithmonë nga dy vdekje. Në kaosin e festave të fundvitit, një vajze e vogël humbi jetën pa u vënë shumë re nga opinioni publik.

Vrasja e dytë e ndodhur dukej krejt e pashpjegueshme. Informacionet që kanë qarkulluar shpesh herë kanë qenë të pasakta, të dhëna që në një situatë të tillë ndikojnë shumë.

Si për të shtuar dozën e dhimbjes, familjet e përfshira në këtë dramë, ato Fetaj dhe Mehmeti, kanë miqësi shumë të vjetër. Bexhet Mehmeti është vëllai i pastiçierit të vrarë:

”Ishte data 6 janar. Takova një mikun tim, që kisha miqësi familjare me të dhe e pyeta për familjen. Më thotë mirë, por na ka ndodhur një vdekje. Na ka vdekur vajza e Fredit.

Mbrëmë në familjen tonë u tha se Fredi ka shkuar në datën 1 janar në pastiçerinë e vëllait tuaj”.

Një blerje e bërë në ditën e parë të Vitit të Ri u shndërrua në një tragjedi. Alfred Fetaj bleu në pastiçerinë e Petrit Mehmetit tortë, bakllava dhe çokollata.

Këto të parat konsumohen që atë ditë nga e gjithë familja. Ballafaqimi është i menjëhershëm.

”U ngrita siç ishim dhe shkuam në dyqanin e vëllait. I thashë vëllait, Petrit hajde këtu. E prezantoj me mikun tim dhe vëllai i shpjegoi se karamelat, çokollatat dhe karamelat nuk i bën vetë, por i vijnë të gatshme nga Fieri jo vetëm atij, por të gjitha pastiçerive.

Nëse fëmija ka vdekur nga torta që kam bërë me duart e mia, jam unë fajtori dhe ejani më ndëshkoni”, kujton Bexhet Mehmeti, për emisionin e pasdites në Top Channel.

Ajo që nuk doli në kronikat e lajmeve ishte fakti që këto familje i lidhte një miqësi e hershme.

Bexhet Mehmeti shkon për ngushëllim tek Alfred Fetaj, personi që më vonë do të bëhej vrasësi i të vellait.

”Alfredi më tregoi se i kishte bërë gruaja një kafe dhe në të i kishte vënë një nga këto karamelet, çokollatat e vogla që vihen në kësi rastesh.

Vajza e kishte parë dhe i kishte thënë babi t’a marr unë. Pesë minuta pasi e hëngri, nisi të ankohej për dhimbje në bark.

Duke parë që fëmija volli e çuan në spital, ku u përkeqësua deri sa vdiq. Kjo është historia që ka treguar vetë ai që bëri krimin, pra që vrau vëllain tim”.

Një çokollatë e vogël, përgjegjëse për jetën e dy njerëzve. Megjithatë, familja e Bexhetit nuk do t’a kishte parashikuar kurrë një ngjarje të tillë, pasi në takimet e mëvonshme situata dukej sikur ishte qetësuar.

”Vëllai u takua me Alfredin dhe unë isha prezent kur i tha: “Që të ndihesh pak më i lehtësuar, çokollatat dhe amaretat nuk i prodhoj unë. Nëse vajza do të ishte helmuar nga torta, të takonte të vije dhe të hakmerreshe.

Pavarësisht dëshpërimit, ai iu përgjigj me tone miqësore dhe i thotë: “Ti je vëllai i Bexhetit, je edhe vëllai im”. Do t’a mbyllim këtë çështje tha, plus miqësia familjare e të tjera”.  

E pra, Bexhet Mehmeti thotë që takimi kishte qenë miqësor. Ne një situatë kur familja Fetaj nuk pranoi të bënte autopsinë mbi trupin e vajzës, ky element duhet të ishte thelbësor, por nuk ka qenë plotësisht kështu, të paktën sipas Zonjës Fetaj, që arrin të thotë vetëm këto fjalë.

”Vajza ndërroi jetë në duart e Fredit. Që prej asaj dite nuk e mblodhëm më veten, është një plagë që nuk mund të mbyllet, si për bashkëshortin tim, ashtu edhe për mua.

Që prej asaj dite, nuk ishte më i njëjti. U rëndua jashtëzakonisht shumë psikologjikisht dhe nuk e përballoi dot humbjen”.

Alfred Fetaj nuk e përballon dot më dhimbjen. Në sy i deklaron Petrit Mehmetit që janë të sqaruar, të paktën deri më 5 prill.

”Në kohën kur vëllai u kthye, ky e goditi me thikë, ia la në trup dhe iku me vrap”, rrëfen aktin e fundit të tragjedisë, Bexheti.

Një hije e rënde mbi dy familje, por nëse shteti do të ishte imponuar dhe do të kishte kryer autopsinë, me shumë mundësi, sot Petriti do të ishte në burg nëse do të ishte fajtor ose i gjallë nëse jo.

Për fat të keq, me sa duket dikush harroi që vetgjyqësia është një prej karakteristikave të popullit tonë.

Top Channel