Berisha, mbështetje Durim Hushit

15/04/2011 19:20

Kryeministri Sali Berisha ka shprehur mbështetjen për kandidatin e “Aleancës për qytetarin” në Elbasan, Durim Hushin. Kreu i qeverisë ka theksuar se në 2013-n, Tirana dhe Elbasani do të bashkohen nëpërmjet autostradës që do të fillojë nga punimet disa javë më vonë.

“Kam kënaqësinë të mbështesë kandidatën e mazhorancës për kryetar bashkie, Durim Hushin. Vij tek ju për t’u dhënë fjalën në këtë shesh se qeveria do të financojë çdo projekt që ju së bashku me Hushin do të hartoni gjatë kësaj fushate… Durim Hushi në një moment rëndësie për vendin, ju faktoi se përpara se të ishte socialist dhe democrat, ishte elbasanas, ishte shqiptar”, theksoi Berisha duke iu referuar votës që ka dhënë Hushi për zgjedhjen e presidentit të Republikës.

“Gatë mandatit që vjen Elbasani do të ketë unazën dhe bypassin e tij, do ketë impiantin e përpunimit të mbetjeve, do ketë kampusin universitar ndër më të bukurit në Shqipëri. Gjatë javëve që vjen së bashku me qytetarin tuaj të parë do presim shiritin e autostradës Tiranë-Elbasan, një investim prej 460 milionë dollarësh, autorstradë me 4 korsi dhe një tunel 4.2 km, 7 mbikalime, 4 nënkalime, shumë ura, një shpejtësi qarkullimi 120 km në orë dhe një gjatësi 31.7 km. Ajo kushton katër herë më shumë sesa projekti i rrugës tjetër, por ju e meritoni. Unë kam bindjen se me Durim Hushin, kryetarin e ardhëm të bashkisë suaj dhe Lulëzim Bashën, kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës, në pranverë të 2013-s, do bashkojmë Tiranën me Elbasanin”, theksoi Berisha.

Ai ka reaguar ndaj akuzave të kreut të PS-së Edi Rama, duke theksuar se ndihet krenar që punon çdo ditë për qytetarët shqiptarë.

“Kreu i PS-së mendon se do më fyej duke me quajtur drejtor komunaleje, por unë për qytetarin jam punëtor komunaleje. Ndihem i privilegjuar dhe i bekuar nga Zoti t’i shërbej çdo qytetari të këtij vendi”, tha Berisha.

“Evropa nuk vjen në Shqipëri ne duhet të ndërtojmë Evropën këtu së bashku. Zoti Rama meqë rrugët të duken të parëndësishme si ta bëri zemra që t’i kundërvihesh me gjithë forcën në parlament votimit të buxhetit për tunelin e Elbasanit. Ju bëj thirrje qytetarëve që t’u kërkojnë llogari deputetëve se përse ata votuan kundër tunelit dhe autostradës. Rruga është jetike për çdo qytetar, ndaj dhe unë do të ndërtoj në gjithë Shqipërinë çdo kilometër rrugë”, theksoi kryeministri.

Berisha ka theksuar apelin për zgjedhje të qeta, duke deklaruar se duhet të japim mesazhe pozitive për Bashkimin Evropian.

“Ta shndërrojmë këtë fushatë në fushatën e vlerave, dialogut, diskutimit, mirëkuptimit më të gjerë të mundshëm. Ne duhet t’i faktojmë njeri-tjetrit dhe mbarë Evropës se jemi qytetarë evropianë dhe jemi të vendosur të respektojmë çdo votë”, tha Berisha.

Top Channel