Rrapo, gjykata rishqyrton ekstradimin

14/04/2011 16:25

Në një kohë që ekstradimi i ish-punonjësit të Ministrisë së Jashtme Almir Rrapo është bërë fakt i kryer dhe ai i është nënshtruar një procesi të drejtësisë amerikane, drejtësia shqiptare nuk ka arritur ende ta thotë fjalën e saj, nëse duhet apo jo Almir Rrapo të ekstradohet në SHBA.

Vendimi i vonuar i Gjykatës së Lartë riktheu për rishqyrtim në një shkallë më të ulët të gjyqësorit kërkesën e palës amerikane për ta ekstraduar 27-vjecarin Almir Rrapo drejt SHBA, pavarësisht se ai e kishte lënë Shqipërinë duke iu dorëzuar FBI-së.

Kur dy shkallët e mëparshme, si ajo e Tiranës e më pas edhe e Apelit i thanë “po” esktradimit të Rrapos, nën akuzë për 11 vepra penale, Gjykata e Lartë prishi të dyja vendimet pikërisht me argumentimin se gjykatat nuk mund dhe nuk duhet të lejonin ekstradimin e Rrapos në SHBA pa administruar më parë një garanci nga ky shtet, se ndaj personit që kërkohej nuk do aplikohej dënimi me vdekje.

Po kështu, sipas Gjykatës së Lartë, është detyrë e gjykatës së Faktit që në zbatim të traktatit dypalësh me SHBA, që i përket vitit 1933, të administrojë të paktën një provë të fajësisë së Rrapos.

E megjithë këtë argumentim të kolegjit penal, shtetasi shqiptar Almir Rrapo nuk përfitoi, të paktën deri tani, asgjë nga drejtësia e vendit të tij.

Dosja e ekstradimit të tij, e rikthyer për gjykim në gjykatën e Tiranës, po shqyrtohet nga gjyqtarja Antonela Prendi, por që edhe kjo duket se është zënë mat për objektin e gjykimit që i duhet të shqyrtojë.

Gjyqtarja po shqyrton cështjen që prej dhjetorit 2010, por ende nuk kanë mbërritur provat që ajo kërkon për të pandehurin.

“Pas paraqitjes së provave nga SHBA, do të provojmë dyshimin e fajësisë në raport me Rrapon. Gjykata i ka dërguar sërish një shkresë Ministrisë së Drejtësisë, që i kërkon rishqyrtimin”, ka deklaruar Prendi.

Ndërsa Altin Ibro, avokat i Almir Rrapos, ka theksuar se, “gjykimi nuk ka avancuar për shkak të zvarritjeve nga organet e drejtësisë”.

Top Channel