Kukës-Tropojë, dëbora bllokon verilindljen

14/04/2011 16:00

Pasditen e së mërkurës dhe gjatë mbrëmjes, në zonën verilindore të vendit ka patur reshje të konsiderueshme dëbore. (UPDATE)

Brenda pak minutave trashësia e dëborës në rrugën nacionale Kukës-Tiranë, pranë tunelit të Kalimashit ka shkuar në 35 centimetra, duke u bërë shkak për një bllokim të lëvizjes së mjeteve.

Nga ora 17 deri në orën 22, qindra mjete mbetën në rrugë ndërsa dhjetra të tjera kanë pësuar dëmtime nga rrëshqitjet.

Disa trajlera kanë rrëshqitur në rrugë duke bllokuar lëvizjen e mjeteve borëpastruese. Bllokimi ka zgjatur disa orë, derisa rruga është hapur dhe lëvizja ka rinisur.

Mëngjesin e sotëm nuk ka patur më bllokim të rrugës nacionale Kukës-Tiranë, por rezultojnë të bllokuara disa rrugë në Tropojë dhe disa komuna në Kukës e Tropojë.

Raportohet se komunat Arren, Kalis, Grykë-Çaj dhe Zapod në rrethin e Kukësit janë bllokuar për shkak të dëborës.

Ndërsa në rrethin e Tropojës vijojnë të jenë të bllokuara rruga e Luginës së Valbonës dhe rruga e komunës Lekbibaj, pasi trashësia e borës ka kaluar mbi gjysmë metri.

Reshjet e pazakonta të dëborës janë ndërprerë, por banorët janë ndeshur me temperatura të ulta, që kanë zbritur në mëngjes deri në minus tre gradë, duke bërë që në shumë akse rurale të krijohen akuj që kanë vështirësuar lëvizjen e mjeteve.

Stuhia e dëborës, krahas problemeve që ka sjellë në lëvizjen në rrugë, ka shkaktuar dëme edhe në rrjetin e furnizimit me energji elektrike.

Gjatë natës, për afro 5 orë, qyteti i Kukësit si dhe fshatrat kanë qenë pa energji elektrike. Ndërsa në Tropojë, për shkak të rrëzimit të shtyllave elektrike që janë prej druri, disa fshatra vijojnë të jenë në errësirë.

Ndërkohë, situata meteorologjike aspak e zakonshme për stinën ku ndodhemi, ka shkaktuar dëme të pallogaritura në sektorin e bujqësisë dhe fruti-kulturës, duke dëmtuar të mbiellat dhe pemët frutore. Situatë e ngjashme raportohet edhe në qarkun e Dibrës, në disa zona malore.

Top Channel