Kubë, thatësira më e keqe në 50 vjet

14/04/2011 16:20

Kuba është duke u përballur me thatësirën më të keqe të 50 viteve të fundit, e cila ka bërë që disa dhjetëra mijëra familje të varen për ujë tërësisht nga autobotët që i furnizojnë çdo ditë.

Qeveria është duke dërguar me tonelata ujë për të përmbushur nevojat thelbësore të 100 mijë personave, të cilët banojnë në lagjet më të prekura prej thatësirës në kryeqytetin Havana.

Sipas BBC, situata bëhet edhe më e rënduar pasi një pjesë e mirë e ujit të pakët të mbetur në rezervuare, humbet rrugës si pasojë e rrjetit të amortizuar të shpërndarjes.

Sipas gazetës shtetërore kubaneze, “Granma”, 70% e tubacioneve që furnizojnë kryeqytetin kanë çarje.

Pavarësisht se autoritetet mundin të furnizojnë njerëzit me ujë të pijshëm, vendi përballet me riskun e një krize të vërtetë higjenike, pasi autobotët nuk dërgojnë ujë të mjaftueshëm edhe për t’u larë e pastruar banesat.

Top Channel