Berisha, apel për zgjedhje të qeta

14/04/2011 13:45

Kryeministri Sali Berisha ka përsëritur apelin e tij për ruajtjen e qetësisë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, duke folur në mbledhjen e qeverisë.

Ai i ka bërë thirrje mbështetësve të “Aleancës për qytetarin”, por edhe opozitës, që të respektojnë kodin zgjedhor në këtë fushatë dhe të evitojnë gjuhën verbale të papërshtatshme.

“‘Aleanca për qytetarin’ është tërësisht e angazhuar në një fushatë të bazuar në vyrtytet dhe moralin më të mirë qytetar, në një fushatë e cila duhet të ketë në themel një dialog intensiv me komunitetet dhe qytetarët, një fushatë që do ketë në epiqendër qytetarin, vlerat, interesat, problemet, shqetësimet dhe vizionin e tyre. Në këtë kontekst ftoj të gjithë anëtarët dhe mbështetesit e kësaj aleance t’i përmbahen me rigorozitetin më të madh frymës dhe moralit të kësaj fushate. Bëj thirrje edhe kundërshtarëve tanë që t’u japin mundësi qytetarëve të vlerësojnë garën e kandidatëve dhe alternativave dhe të lënë mënjanë pasionin për fjalë kazani. Është në interesin më të mirë të të gjitha forcave politike një fushatë e civilizuar. Këto zgjedhje kanë një rëndësi shumë të madhe sepse do zgjidhen qeveritë direkte të qytetarëve shqiptarë. Shqipëria ka hyrë në një fazë shumë të rëndësishme të integrimit të saj në BE, ky fakt i jep këtyre zgjedhjeve një peshë specifike shumë të madhe”, tha Berisha.

“Duke denoncuar çdo akt dhune, përgëzojë forcat e rendit për punën shumë të mirë që kanë bërë në trajtimin profesional të këtyre rasteve dhe u bëj thirrje qytetarëve mbështetes të mazhorancës të bëjnë gjithçka dhe të shmangin çdo akt dhune dhe fyrjeje dhe të vënë në piedestalin e këtyre zgjedhjeve vlerat më të larta të qytetarit. Kjo është rruga më e sigurt për të konsoliduar demokracinë në Shqipëri”, tha Berisha.

Kryeministri ka bërë thirrje edhe për respektimin e vendimit të kryeministrit për mospërdorjen e burimeve financiare të tjera për fushatën, përveç atyre të parashikuara në ligj.

“I kërkoj opozitës t’i përmbahet me rigorozitet shmangies së çdo burimi financiar tjetër, në funksion të fushatës. Të mos harrojë se në këto zgjedhje shumicë nuk është mazhoranca qeverisëse, por opozita në qytetet e mëdha të vendit dhe ajo ka një rëndësi të dëshmojë një qendrim ndryshe për sa i përket përdorimit të burimeve të pushtetit në fushatën elektorale. Urdhri i kryeministrit po zbatohet me rigorozitet nga administrata. Garantoj qytetarët se mazhoranca do i përmbahet vendimit të shpallur dhe bazohet edhe në rekomandime të mëparshme të OSBE-ODIHR-it”, tha Berisha.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha bëri thirrje që qytete të tjera të Shqipërisë të shqyrtojnë për implementimin e mundshëm të projektit të inauguruar pak ditë më parë në Durrës, në ndihmë të komunitetit romë.

“Disa ditë më parë ne inaguruam në Durrës një projekt për 100 banesa për komunitetin rom. Në këtë projekt parashikohej shkolla, kopshti dhe shërbimi shëndetësor. Do të vlerësoja shumë që kjo eksperiencë pozitive me të cilën është punuar dy vjet, të përhapej edhe në qytete të tjera ku është i pranishëm komuniteti rom. Ta zhvillojmë në Tiranë dhe mos të na ndodhin më akte të shëmtuara si ai që ndodhi”, tha Berisha.

Top Channel