Ballkani, janë ndalur reformat

14/04/2011 23:10

Takimi i përbashkët parlamentar mbi Ballkanin perëndimor u mbyll me marrëveshjen për të lënë në fuqi perspektivën e rajonit për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Një takim për të treguar se vendimet nuk merren vec në Bruksel e Strasburg, por dhe në parlamentet e vendeve anëtare, si dhe për të pasqyruar situatën se ku gjendet sot Ballkani.

Jerzy Buzek, President i PE: Së fundmi jemi shqetësuar vecanërisht me sinjalet për destabilitet politik në rajon. Bosnja mbetet ende pa qeveri që prej zgjedhjeve të tetorit. Shqipëria është bllokuar në një krizë politike prej mëse dy vitesh. Qeveritë kroate, serbe e maqedonase përballen me thirrje për zgjedhje të parakohshme. Gjithnjë është e pakëndëshme kjo, sepse po u bëjmë stop reformave, negociatave, por mbetet gjithësesi një mënyrë demokratike për të zgjidhur problemet.

Viktor Orban- Kryeministër i Hungarisë: Dua të tërheq vëmendjen tuaj për faktin se nëse ne nuk e integrojmë këtë rajon, të tjerët do ta bëjnë. Kushdo që ka vizituar Ballkanin duhet të jetë në dijeni se ka mjaft dëshirues potencial. Europa duhet të jetë e hapur ndaj zgjerimit, ndërsa vendet e rajonit duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë. Ballkani përbën një lloj enklave në territorin e BE-së. Ne kemi përshtypjen se këto vende përbëjnë një punë të pambaruar.

Jose Manuel Barroso, President i KE: Jemi në fazën ku negociatat me Kroacinë kanë hyrë në fazën përfundimtare, Mali i Zi dhe Serbia janë në pozitën për të kaluar në hapin tjetër, nëse ruajnë ritmin e reformave deri në tetor. Por, ne kemi dhe një sërë sfidash që mbesin: nevoja për të ecur përpara në dialogun Prishtinë-Beograd, domosdoshmëria për kapërcimin e ngërcit politik në Bosnje dhe në Shqipëri, si dhe zgjidhja e emrit për Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Në fund të muajit maj, kreu i Komisionit Europian pritet të vizitojë Shqipërinë, Kosovën e Serbinë, vende këto që nuk u përfshinë në turin ballkanik të javës së kaluar.

Një tjetër ide që u hodh në këtë konferencë ishte ajo e eurodeputetit slloven të grupimit liberal, Jelko Kacin, mbi shtetin maqedonas. Kacin propozoi të quhej “Maqedonia Jonë” për t’i dhënë fund kështu mosmarrvëshjes me fqinjët e rajonit.

 

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel