Lajcak: Na interesojnë standartet

13/04/2011 15:50

Ndërmjetësi i Bashkimit Europian për krizën politike shqiptare, Miroslav Lajcak, deklaron se në Bruksel nuk janë të interesuar se kush do t’i fitojë këto zgjedhje, por përmbushja e standarteve demokratike të realizimit të procesit elektoral e zgjedhor.

Në një intervistë për Top Channel, Lajcak thotë se Bashkimi Europian do të bazohet mbi raportin e ODIHR-it për të nxjerrë përfundimet mbi cilësinë e zgjedhjeve.

TCH: Cfarë mund të bëjë BE në mënyrë që të mos përsëritet skenari i zgjedhjeve të 2009-ës?

Lajcak: BE është këtu për të ndihmuar. Por, përgjegjësia kryesore dhe ekskluzive për këtë i mbetet politikanëve dhe institucioneve shqiptare. Ata e dinë këtë, sepse mesazhi që duhet të dalë nga këto zgjedhje është shumë i rëndësishëm dhe duhet të jetë mesazhi që këto zgjedhje përmbushën standartet europiane. Unë e kuptoj që politikanët në vend janë më shumë të fokusuar mbi rezultatin se kush do të fitojë, por dua t’ju përsëris atë cfarë iu thash dhe atyre atje, se për ne jashtë Shqipërisë nuk është e rëndësishme se sa parti e sa karrike zënë ata me këto zgjedhje, por që të shohim se këto zgjedhje do të mbahen në mënyrë europiane. Kjo ka tepër rëndësi.

TCH: Si e vlerësoni dhunën me të cilën nisi kjo fushatë elektorale?

Lajcak: A e dini cfarë, dhuna është gjithnjë e vajtueshme e për të ardhur keq. Nuk dua ta përgjithësoj, por ne kemi humbur shumë kohë duke diskutuar mbi zhvillimet tragjike të 21 janarit, dhe tashmë nevojitet vërtet që gjithcka të hetohet sic duhet. Ne kemi nevojë të shohim se cfarë është dhuna, që mund të ndodhë kudo, e cfarë pjese lidhet me procesin politik. Unë uroj për Shqipërinë që dhuna të mos jetë e lidhur me fushatën elektorale dhe këto zgjedhje.

TCH: Zoti Lajcak, a do i ndiqni këto zgjedhje nga Shqipëria? A do shkoni atje, në mënyrë që të keni një imazh më të qartë duke i parë kështu nga afër?

Lajcak: Për momentin nuk e di ende. Unë gëzohem që mbështeta iniciativën e Parlamentit Europian për të shkuar atje, jam në kontakt të vazhdueshëm me liderët e forcave politike atje, e nuk mendoj se prezenca ime do të kishte rëndësi thelbësore. Tashmë cështja është në duart e misionit ODIHR, i cili ka eksperiencën e duhur në terren prej kohësh dhe është fillimisht përgjegjësia e tyre që ta bëjnë këtë dhe Bashkimi Europian do të bazohet shumë në raportin e tyre mbi fushatën elektorale dhe këto zgjedhje.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel