Berisha në Fier: Në 4 vjet, 400 milionë euro

13/04/2011 19:20

Kryeministri Berisha ka hapur pak caste më parë fushatën elektorale në Fier, ku është shprehur i bindur për fitoren e kandidatit të PD, Ilir Bele.

Gjatë fjalës së tij, Berisha e ka vënë theksin tek vëmendja që qeveria e tij i ka kushtuar qarkut të Fierit, ku sipas tij në 4 vjet janë bërë 400 milionë euro investime.

“Fieri do ketë mbështetjen më të madhe. Në këto vite, në rrethin tuaj kemi investuar mbi 400 milionë euro, kemi ndërtuar në rrethin tuaj 260 kilometra rrugë, ndërsa në rang qarku rreth 500 kilometra rrugë. Kemi ndërtuar 27 ujësjellësa në rreth, ndërsa 57 në rang qarku. Kemi ndërtuar edhe mbi 50 shkolla”, ka deklaruar Berisha.

Kryeministri është shprehur se investimet e qeverisë së tij në këto vite kanë qenë më të mëdha se ato të bëra në 8 vjet nga qeveria socialiste.

“Kemi investuar në mbjelljen e 1200 hektarë ullishte e sera. Në 4 vitet e ardhshme do bëjmë gjithcka që fermerët të subvencionohen”, ka premtuar ai.

Më tej Berisha ka bërë një renditje të arritjeve të qeverisë së tij dhe qytetarëve, duke e vënë theksin në vecanti tek anëtarësimi në NATO, heqja e vizave dhe tek rritja ekonomike.

“Kjo është një rrugë në të cilën ne së bashku ia kemi dalë, që nga një vend i humbur të jemi sot një vend anëtar i NATO-s, nga një vend i ndaluar të lëvizim pa viza në Evropë. Është një rrugë në të cilën ne ia dolëm, nga vendi me infrastrukturë në katër të pestat mesjetare, të ndërtojmë një nga infrastrukturat më moderne jo vetëm në qytete, por edhe në qindra komuna të vendit. Ne, ekonominë e falimentuar shqiptare e shndërruam në një nga ekonomitë më premtuese në Evropë, që kryeson rritjen në Evropë. Ju ftoj më 8 maj të votoni këtë alternativë, që synon të zgjidhë problemet tuaja”, ka shtuar Berisha, i cili në përfundim ka ironizuar si zakonisht me liderin e opozitës Edi Rama.

Ndërsa kandidati për bashkinë, Ilir Bele ka premtuar nisjen e një udhëtimi drejt transformimit të qytetit.

“Fieri është katandisur në një gjendje që është për të ardhur keq. Ne meritojmë më shumë se kaq, duhet ta rikthejmë Fierin në jetë”, është shprehur ai.

Top Channel