Emigrantët, BE “lë” vetëm Italinë

12/04/2011 00:50

Bashkimi Europian hodhi poshtë kërkesën së Italisë për aktivizimin e direktivës 55, që daton që nga viti 2001, për dhënien e azilit dhe të strehimit të përkohshëm të emigrantëve që mbërrijnë nga vendet e Afrikës së Veriut në të gjithë territorin e BE-së.

Direktiva do të krijonte mundësinë e lëvizjes së lirë të emigrantëve që mbërrijnë në Itali nga Afrika e Veriut e për të patur mundësi strehimi në të gjithë vendet anëtare të BE-së.

“Pjesa më e madhe e vendeve mendon se direktiva 55 mund të aktivizohet, por besojnë se nuk është ende momenti për ta bërë dicka të tillë për fluksin e emigrantëve që po dyndet në Itali. Aktivizimi i direktivës kërkon që në vendet të cilat ndodhen në konflikt të ekzistojë një konflikt i fortë dhe mendojmë se ende nuk ndodhemi në një situatë të tillë që të mund të aktivizojë këtë mekanizëm”, tha pas hedhjes poshtë të kërkesës së Italisë, Komisionerja për Punët e Jashtme, Cecilia Malmstrom, duke ritheksuar se KE ofron ndihmë financiare dhe materiale për Italinë, ofertë kjo e hedhur poshtë më parë nga Ministri i Brendshëm italian, Maroni, si “e panevojshme”.

Pas deklaratës, Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, ashtu si Berluskoni në fundjavë, vuri në pikëpyetje ekzistencën e BE-së.

“Pyes veten nëse ka më kuptim të qendrojmë anëtarë të Bashkimit Europian. Ishtë një takim (takimi i Ministrave të Brendshëm të BE-së) zhgënjyes dhe ajo që u vendos ishte: Italia duhet t’ia dalë mbanë e vetme. Ne kur ishte nevoja, shprehëm solidaritetin tonë, si me Greqinë, Portugalinë, Irlandën (për krizën financiare). Por kur ne ndodhemi në një situatë emergjence na thuhet: E dashur Itali, janë punët e tua e duhet t’i bësh vetëm!”, tha ministri italian, Maroni.

Gjithësesi, Maroni sqaroi se kritikat e tij nuk i adresohen aq shumë vendimti të Komisionit Europian, se sa 21 qeverive të djathta të Bashkimit Europian.

Ndërkohë, presidenti i KE-së, Hoze Manuel Barroso ka zhvilluar një telefonatë me kryeministrin italian, Silvio Berluskoni ku i ka thënë këtij të fundit, për nevojën e një bashkëpunimi mbarë europian për krizën e emigrantëve që po përballet Italia. Barroso, sipas një njoftimi të shpërndarë nga pallati “Chigi”, mbështet marrëveshjen e Italisë me Tunizinë për emigrantët. Pikërisht, cështja e emigrantëve do të jetë në qendër të diskutimeve të Barrosos gjatë vizitës së tij në Tunis.

KE pranoi një kërkesë të ngjashme më atë të Italisë, por të adresuar nga Malta për përballimin e fluksit të emigrantëve. Portugalia e Franca ishin të parat vende që premtuan dhënien e azilit për mijëra emigrantë afrikano-veriorë që ndodhen në ishullin e vogël Mesdhetar.

Top Channel