Berisha hap fushatën në Lezhë dhe Shëngjin

12/04/2011 18:30

Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar në Lezhë kandidatët e “Aleancës për qytetarin” për këtë qytet, Viktor Tusha dhe atë të Shëngjinit, Zef Gjoka.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri ka theksuar se do t’i shndërrojë këto dy qytete në dy kryeqendra turistike dhe të zhvillimit.

Ai ka deklaruar se nuk do të merret me kundërshtarët politikë, duke u shprehur se gjatë fushatës nuk do të përdorë gjuhën e sharjeve dhe fyerjeve personale.

“Unë kam ardhur për t’u zotuar para jush se me Viktor Tushën dhe Zef Gjokën ne do t’i shndërrojmë këto dy qytete në qendrat kryesore të vendit, në një nga polet me të rëndësishme të vendit. Në rrethin tuaj kemi ndërtuar gjatë këtyre viteve 300 kilometra rrugë kombëtare dhe rurale. Në këto katër vite në këtë rreth nuk do të ketë qoftë edhe një kilometër rrugë të paasfaltuar”, është shprehur Berisha.

“Le të bëjmë gjithçka për të paraqitur Lezhën dhe Shëngjinin në madhështinë e tyre historike. Lezha është qyteti i qytetrimit tonë dhe vendi me thesaret më të çmuara që janë zbuluar dhe do zbulohen në të ardhmen. Shëngjini është qytetit i bukurisë së madhe turistike. Ju garantojmë se brenda këtij mandati autostrada do u bashkojë me Velipojën. Ne u garantojmë urbanizim të plotë dhe total. Do mbështesim të gjitha projektet tuaja për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit. Lezha në katër vite do bëhet një nga qendrat kryesore turistike, të zhvillimit të rajonit të Shqipërisë. Kjo është alternativa jonë”, tha Berisha.

“Ata që u servirin ju rrugën e eterëve dhe rrugën e vetme ju e dini vetë se çfarë do u thoni. Unë nuk kam ndërmend të merrem me ta, por do u them se qytetarët shqiptarë kanë nevojë për projekte, shkolla, rrugë, kopshte. E fundit që kanë nevojë është për sharje, fyerje dhe sulme personale. Ato nuk janë alternativë për ne. Ndaj ne të shkojmë drejt një fitoreje të sigurtë”, theksoi kryeministri.

Top Channel