Tirana, Basha me studentët

11/04/2011 16:40

Lulzim Basha, kandati demokrat për Bashkinë e Tiranës, ishte për një vizitë te Universiteti Politiknik.

Ai premtoi se nëse zgjidhet kryetar i Bashkisë, Tirana do t’u ofrojë studentëve lehtësi që shkojnë që nga rinovimi i ambjenteve universitare e deri te lehtësitë e jetës praktike.

Këtu, element kyc është karta e studentit. Karta do të ofrojë udhëtim qytetas falas dhe një sërë tarifash të reduktuara përtej rrjetit të partnerëve të zakonshëm të bashkisë.

“Njësitë tregtare të këtij qyteti do ofrojnë tarifa të reduktuara, nga ushqimi e deri tek shërbimet e tjera”, ka deklaruar Basha.

Nuk është hera e parë që karta e studentit bëhet objekt i premtimeve politike. Disa ditë më parë opozita ka kujtuar se karta e studentit është premtuar në vitin 2006 edhe nga kryeministri Berisha, i cili, sipas socialistit Veliaj, ka dhënë edhe 60 milionë lekë që karta t’i jepej çdo studenti shqiptar.

Madje edhe G99, në kohën kur drejtohej nga Erion Veliaj, ka shpërndarë një kartë që ofronte një numër të kufizuar shërbimesh në një rrjet partnerësh të G99.

Por kandidati Basha iu shmang polemikës në lidhje me këtë cështje dhe pyetjes së një studenti, iu përgjigj në këtë mënyrë:

“Unë në 2006 isha ministër i Transportit. Sot, cdo premtim që kam dhënë e kam mbajtur dhe cdo projekt e kam plotësuar”, është përgjigjur Basha.

Kandidati Basha premtoi një rritje të numrit të studentëve, nga 80 mijë në 100 mijë, 100 bursa ekselence dhe cmimin e kryebashkiakut për 10 diplomat më të mira. Po ashtu edhe lehtësi për daljen në tregun e punës.

Top Channel