Moisiu: Zgjedhjet e kontestuara, nga 96-a

11/04/2011 22:05

Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu vlerëson se odiseja e zgjedhjeve të këqija në Shqipëri e ka zanafillën në vitin 1996.

“Në fillim të viteve ’90 pati zgjedhje të mira, u votua për referendumin dhe shkoi mirë. Pastaj, në 96-ën….. Që atëherë kemi një vazhdimësi”, ka deklaruar Moisiu.

Sipas tij, kjo situatë vjen si rrjedhojë e partive politike, të cilat duan të marrin me cdo kusht pushtetin, gjë që sipas tij nuk ndodh në vendet e tjera, as në shtetin e ri të Kosovës.

“Në kosovë nuk i kemi dëgjuar këto gjëra, përse te ne? Arsyeja kryesore për mua është se politikanët tek ne duan ta marrin pushtetin me cdo kusht. Të hiqet dorë nga lufta për të marrë pushtetin”, ka theksuar Moisiu.

Ish-kreu i shtetit ka dënuar ashpër dhunën verbale të përdorur nga palët politike në zgjedhje, të cilat duhet të përqendrohen tek programi që ofrojnë.

Ai ka bërë thirrje për një pjesëmarrje sa më të lartë në zgjedhjet lokale dhe ka nënvizuar se tashmë Shqipëria duhet t’i zgjidhë e vetme problemet e saj.

Më tej, ai ka shprehur edhe përshtypjen e tij përse mazhoranca aktuale nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj ndaj transparencës zgjedhore të kërkuar nga PS.

Ndërkohë që sipas tij, kur ajo ishte në opozitë, në zgjedhjet lokale Rama-Ngjela, asaj iu dha mundësia të hidhte dritë mbi procesin.

Top Channel