Kreu i forcave speciale, padi per zv/ministrin

11/04/2011 15:45

Fushata zgjedhore përplas Ministrinë e Brendshme me Policinë e Shtetit. Si rrallë ndonjëherë, një drejtues policie i një prej strukturave më të rëndësishme në Policinë e Shtetit, konkretisht ajo e forcave speciale, ka kallëzuar në prokurori personin më të rëndësishëm për momentin në krye të Ministrisë së Brendshme.

Drejtori i forcave speciale dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë, kryekomisar Shemsi Prenci, ka denoncuar zv.ministrin e Brendshëm Avenir Peka.

Sipas Prencit, Peka i ka dhënë urdhër të paligjshëm për të futur në incidentin e së dielës në Kamzë forcat speciale, në një kohë që kjo gjë është e ndaluar me ligj.

“Sot kam denoncuar incidentin më të rëndë në raste zgjedhjesh. Për një incident që ka ndodhur në Bathore, zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka ka kërkuar që unë të shkel ligjin dhe të vë forcat speciale në atë zonë. Kam refuzuar dhe ai më ka kërcënuar dhe ofenduar. Do t’i kërkoja zotit kryeministër që standartet që mundohet të ndërtojë në Shqipëri, të mos lejohen t’i shkelin e t’i mëpërkëmbin njerëz si Avenir Peka”, ka deklaruar Prenci.

Prenci tha se ai merr urdhëra vetëm nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe askush tjetër dhe se nuk do pranojë t’u bindet urdhërave të paligjshëm.

“Nuk do zbatoj urdhërat e paligjshëm të zëvendësministrit Peka. Kërcënimet e tij ishin të natyrave të ndryshme, jo vetëm për vendin e punës, sepse për atë jam mësuar, por edhe fyerje shumë banale sa nuk mund të thuhen për mediat”, ka pohuar Prenci.


Incidentet në Kamzë e Kashar, tre të ndaluar

Ndërkohë, zëdhënësja e policisë së Tiranës, në lidhje me incidentin e Kasharit dhe të Bathores njoftoi arrestimin e tre të implikuarve në përplasjen mes grupeve të simpatizantëve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, si dhe shpalljen në kërkim të disa të tjerëve.

“Për ngjarjen në Kashar, mbrëmë rreth orës 23.00 është bërë arrestimi i shtetasve Luan Sulaj, 32 vjec, dhe Viktor Sulaj, 27 vjec, respektivisht me banim në Kashar. Për ngjarjen në Bathore është bërë arrestimi i shtetasit Krenar Baja, 21 vjeç, me banim në Bathore Tiranë. Arrestimi i tij u krye në orën 24.00, sepse pas një konflikti midis simpatizanteve të dy subjekteve politike, shtetasi i mësipërm dyshohet të jetë autor i dëmtimit të dy automjeteve në pronësi të shtetasve Elvis Vladi, 20 vjeç dhe Ardian Ali, 26 vjeç, banues në Tapizë”, ka deklaruar zëdhënësja e policisë, Alma Katragjini.


Mbledhje urgjente e Policisë së Shtetit

Në kohën që zëdhënësja e policisë jepte konferencën, në zyrat e Drejtorisë së policisë së Tiranës po zhvillohej një mbledhje urgjente me shefat e të gjitha komisariateve, drejtues të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të misionit ICITAP.

Në lidhje me objektin e kësaj mbledhjeje nuk u dha asnjë detaj, ndërkohë që në përfundim të saj, një mbledhje e dytë është zhvilluar edhe me krerët e Policisë së Shtetit në drejtorinë qendrore të saj.

Top Channel