Berisha hap fushatën në Shkodër

11/04/2011 18:55

Kryeministri Sali Berisha ka hapur para pak castesh fushatën elektorale në qytetin e Shkodrës, ku prezantoi Lorenc Lukën si kandidat për kryetar bashkie.

Në fjalën e tij, fillimisht ka falenderuar qytetarët shkodranë për mbështetjen e pakursyer dhe ka premtuar kthimin e qytetit në qendrën kryesore rajonale.

“Gjëja e parë që më buron nga shpirti është përulja para jush, qytetarë e qytetare të Shkodrës, për mbështetjen e pamposhtur që i dhatë PD-së që nga dita e themelimit. Në 4 vitet që vijnë, me Lorenc Lukën, do bëjmë më tepër se në 20 vitet e fundit të marra së bashku. Shkodra në 4 vite do të jetë kryeqendër e Shqipërisë, më e zhvilluara e të gjithë rajonit”, ka deklaruar Berisha.

Kryeministri ka theksuar se në këto vite PD i ka hequr Shkodrës rudhat e regjimit komunist, ndërsa në vitet e ardhshme ajo do ta kthejë atë në “Shkodrën e shekullit të ri”, përmes një vale investimesh.

“Këto 4 vite do të jenë të Shkodrës së shekullit të ri. Do ta bëjmë Shkodrën epiqendrën kryesore kulturore të veriut e më gjerë. Bota akademike e Shkodrës do të njohë dimensione të reja e të mëdha, do t’i japim fund fatkeqësisë ciklike natyrore me bajpasin e saj”, ka nënvizuar Berisha, i cili më pas ka paraqitur prioritetet kryesore për qytetin verior.

“Në 4 vitet e shkuara kemi ndërtuar 448 kilometra rrugë, në 4 vitet e ardhshme do ndërtojmë cdo rrugë e rrugicë të qytetit dhe fshatrave të qarkut. Në 4 vitet që ikën ngritëm ujësjellësa e kanalizime, në 4 vitet e ardhshme do sjellim 24 orë ujë. Shkodra do ketë edhe investime në kulturë, do ketë terrenet sportive më moderne në rajon, landfille dhe kampuse universiteti”, ka saktësuar Berisha.

Në përfundim të fjalimit, kryeministri i ka drejtuar edhe një mesazh liderit të opozitës, Edi Rama. “I them shokut Rama, se në këtë fushatë nuk do harxhoj 30 sekondat për të bërë sherre me ty. Sepse njeriu që merret më shumë me Ramën është si Rama. Duaj fatin tënd, ne do fitojmë”, ka shtuar Berisha.

Top Channel