Berisha hap fushatën në Librazhd

11/04/2011 12:26

Në Librazhd kryeministri Sali Berisha prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Shefki Çota, duke premtuar rritjen e investimeve për të bërë të mundur shfrytëzimin e të gjithë potencialit natyror të kësaj zone të pasur në burime ujore dhe minerare.

Në programin e kandidatit të koalicionit qeveritar spikatën premtimet, që nëpërmjet mirëadministrimit të qytetit, të luftohet varfëria dhe të rritet punësimi.

“Me ne qyteti dhe rrethi i Librazhdit do të marrë respektin dhe vlerat që meriton”, tha Çota.

Kryeministri Berisha përmendi në takimin elektoral se në Librazhd, si në gjithë Shqipërinë, nuk ka me pensione nën 100 dollarë, por ai premtoi rritje të mëtejshme të pagave dhe pensioneve.

“Sot ne mblidhemi në këtë shesh si qytetar të një vendi, ekonomia e të cilit, siç do të deklaronte dje Komisioni Evropian, është në krye të rritjes ekonomike në Evropë. Duke theksuar këto, unë jam i bindur se në jetën tuaj të përditshme, jo të paktë janë ata që përballen me vështirësi e vuajtje, por nga ana tjetër, ju garantoj se kjo qeveri do të bëjë gjithçka që ju, me mundin e djersën tuaj, të mëkëmbni familjet tuaja”, deklaroi Berisha.

Kryeministri tha se në këto zgjedhje përballet alternativa për qytetarin, që anëtarësoi vendin në NATO dhe liberalizoi vizat, si dhe ajo që ai e quajti alternativë e rrugës së vetmisë së thellë.

“Ata që ju ofrojnë juve rrugën e vetme, ata ju ofrojnë rrugën pa kthim. Kurse ne, së bashku do të ecim përpara, duke plotësuar interesat tona, qëllimet tuaja, duke e shndërruar Librazhdin në qytet të zhvilluar, duke krijuar vende pune, duke rritur punësimin, rritur rrogat, pensionet”, u shpreh Berisha.

Në një fshat të Librazhdit, ku u uroi banorëve rrugën e re të përfunduar, kryeministri Berisha tha se qeveria ka shtruar në rrethin e Librazhdit 45 km rrugë dhe se me autostradën e re të Elbasanit, për këtë zonë do të hapen perspektiva të reja zhvillimi, duke rritur edhe më shumë mirëqenien e banorëve të saj.

Top Channel