Babë e bir, plumba mbi të afërmin

11/04/2011 11:35

Babë e bir kanë tentuar të vrasin një të afërmin e tyre me armë zjarri, pushkë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Ngjeqar, Komuna Kurjan në Rrethin e Fierit mbrëmjen e së shtunës.

Burime policore thanë se konflikti mes të afërmeve ka pasur si shkak një çështje pronësie.

Burimet thanë se ajo është pronë publike, ndërkohë që dyshohet të jetë zaptuar prej vitesh nga pala që ka probleme me policinë aktualisht.

Burime nga fshati Ngjeqar pohojnë për gazetën se prej vitesh pjesëtarë të fisit Feleqi janë përfshirë në debate lidhur me pronësinë e disa ullishtave, por edhe të sipërfaqeve të tokave që i kanë njëri pas tjetrit.

Për debatet mes të afërmeve madje, ishin vënë në dijeni edhe drejtues të Komunës Kurjan, të cilët shpeshherë kishin ndërhyrë për zbutje konflikti. Mësohet gjithashtu se këto debate shpeshherë kanë degjeneruar në konfrontim fizik apo në ngjarje të rënda si plagosje.

Kështu ka ndodhur edhe mbrëmjen e së shtunës rreth orës 19:00. Myftar Feleqi, 56 vjeç, ka nisur debatin me vëllain e tij, Ymer Feleqi, ndërsa janë përballur në rrugën pranë banesave.

Debati me fjalë ka zgjatur për afro një orë. Mes vëllezërve, përveç sharjeve dhe fyerjeve janë përdorur edhe grushte dhe mjete të forta, këto të fundit të gjetura në rrugë pranë vendit ku debatonin.

Pas ndërprerjes për disa minuta sherri është rindezur, por në skenë kanë hyrë edhe pjesëtarë të tjerë të familjeve respektive.

Burimet nga fshati, por edhe ato të policisë thonë se aty ka pasur edhe përleshje. Ndërkohë, që në acarim e sipër, Myftar Feleqi, së bashku me të birin marrin pushkën që mbanin në shtëpi dhe qëllojnë në drejtim të vëllait dhe xhaxhait.

Fatmirësisht, plumbi nuk ka kapur objektin e synuar, por një dele, e cila ka ngordhur në moment. Ndërsa shkrehja e armës vendosi mbylljen e sherrit autorët janë larguar në kodrat pranë fshatit, ndërkohë që banorët kanë njoftuar policinë.

Pas marrjes së dëshmive, si dhe sigurimit të provave materiale, është bërë edhe arrestimi i një prej autorëve, pasi një tjetër ishte larguar.

Arrestimi u krye në orën 23:00 të mbrëmjes pas përfundimit të procedurës përkatëse. Sipas burimeve të policisë së Fierit mësohet se “në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës është prangosur 56-vjeçari Myftar Feleqi. Ndërkohë që djali i tij, Florian Feleqi, është shpallur në kërkim nga strukturat e policisë”.

Po burimet zyrtare policore pohojnë se akuza e ngritur për babë e bir, Myftar dhe Florian Feleqi është ajo e vrasjes së mbetur në tentativë. Gjithashtu, policia ka gjetur si provë materiale edhe armën e zjarrit, një pushkë e modelit 56.

Provë për policinë ka qenë edhe delja e ngordhur nga goditja me armë. Uniformat blu kanë nisur kërkimin e të riut Florian Feleqi në kodrat pranë fshatit.

Është njoftuar edhe policia e Mallakastrës, pasi fshati është në kufi me fshatrat e rrethit në fjalë.

Deri të dielën në mbrëmje policia nuk ka mundur të prangosë të kërkuarin. Hetimet nga ana tjetër kanë zbardhur edhe motivin e saktë të ngjarjes, që sipas policisë është ai i konfliktit për pronën publike, që pretendohet nga pala e prangosur.

Top Channel