Arvizu: Jo dhunës në fushatë

11/04/2011 19:40

Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu ishte në qytetin e Fierit ku është takuar me drejtuesit lokalë.

Pas takimit me kryebashkiakun, Arvizu ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes pushtetit qendror dhe atij vendor, duke shtuar se tendenca ku duhet të ecë Shqipëria është që më shumë autoritete nga qendra ne lokalitete.

Arvizu nuk ka lënë pa përmendur edhe procesin zgjedhor dhe fushatën. Ai ka deklaruar se ka një shqetësim të kuptueshëm për integritetin e procesit dhe për këtë arsye ka përmendur praninë e konsiderueshme të vëzhguesve të huaj që do të ndjekin këtë proces.

“Ka shqetësim të kuptueshëm për integritetin e procesit zgjedhor. Mendoj se ka patur përmirësime me kalimin e kohës, por qartazi ka përparim që duhet bërë. Dhe, sikur jeni të informuar, ekipi që do të merret me vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri ka nisur të vijë. Ata do punojnë ngushtë me KQZ-në dhe dy partitë. Në mbrëmje do takoj shumë prej këtyre vëzhguesve, por ne të gjithë dëshirojmë të punojmë së bashku që këto zgjedhje të jenë të hapura, të ndershme dhe transparente. Pika e fundit është se, e di që ka patur incidente dhune të lidhura me fushatën. Është e qartë që dhuna nuk duhet të luajë asnjë rol në zgjedhjet demokratike. Është e kuptueshme që njerëzit kanë preferencat e tyre dhe janë të gëzuar ta shprehin këtë. Dhe mendoj që kjo është një gjë e mirë, por do t’iu kërkoja njerëzve, ata që ndihen më shumë entuziastë se c’duhet, që ta frenojnë pak veten”, ka deklaruar Arvizu.

I pyetur në lidhje për nevojën e shpeshtë të ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në konfliktet e politikës shqiptare, Arvizu deklaroi:

“Unë mund të flas vetëm në emër të SHBA, qartazi ne duam më të mirën për këtë vend. Askush në komunitetin ndërkombëtar nuk ka interes për të shërbyer si mediator apo arbitër. Mendojeni si të ishte një lojë futbolli dhe nëse do ishe një arbitër, duhet të kesh mjaftueshëm kartona të kuq. Dhe nëse do jesh arbitër në Shqipëri, nuk mendoj se ka mjaftueshëm kartona të kuq. Këto janë cështje që shqiptarët duhet t’i zgjidhin vetë. Por kjo nuk do të thotë që komuniteti ndërkombëtar nuk është i interesuar, apo i shqetësuar. Ne jemi të interesuar dhe të shqetësuar dhe do ofrojmë ndihmën tonë aq sa mundemi. Por besomëni, qeveria dhe strukturat e shtetit shqiptar janë të forta mjaftueshëm për ta realizuar këtë vetë”, ka theksuar Arvizu.

Top Channel