Berisha, miting elektoral në Korçë

10/04/2011 12:50

Kryetari i Partisë Demokratike dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka prezantuar kandidatin për bashkinë e Korçës të “Aleancës së Qytetarit”, zotin Andrea Mano.

“Korça do të njohë transformimet më të mëdha në 4 vitet e ardhshme. Me Andrea Manon do të rindërtojmë qendrën e Korçës, do ta shndërrojmë në një nga qendrat më të zhvilluara turistike. Qendra do të jetë sërish krenaria e korçarëve”, u shpreh Berisha.

“Edi Rama ka risjellë në skenë hijen e politikës së vjetër por jam i bindur se korçarët do të zgjedhin alternativën më të mirë për ta”, shtoi kreu i PD-së.

Andrea Mano, nga ana e tij, deklaroi: “Do të angazhohem në mënyrë të pakursyer për t’i shërbyer komunitetit. Korça është në një  moment të vështirë për faj të gabimeve që ka bërë kryebashkiaku aktual. Nuk është kujdesur për të zhvilluar infrastrukturën dhe korçarët janë larguar. Unë kandidoj sepse ky kryebashkiak nuk është në gjendje t’i japë Korçës atë që meriton, nuk mund të toleroj mungesën e përgjegjësisë dhe dua t’i rikthej Korçën qytetarëve.”

 

Top Channel