SHBA, miratohet buxheti në mesnatë

09/04/2011 08:15

Republikanët dhe demokratët arritën një marrëveshje rreth buxhetit të shtetit në SHBA, disa minuta përpara se të skadonte afati përfundimtar dhe qeveria të pezullonte veprimet e saj.

Të dy partitë ranë dakord mbi planin e shkurtimeve në buxhet, ku ekzistonin edhe divergjencat kryesore, ndërsa mbeten për të biseduar edhe detajet e fundit.

Në bazë të planit, shpenzimet do të ulen me 38 miliardë dollarë deri në shtator. Presidenti Obama deklaroi se këto shkurtime do të jenë të dhimbshme, por të domosdoshme.

”Disa prej reduktimeve për të cilat kemi rënë dakord do të jenë të dhimbshme”, deklaroi Obama. “ Disa programe të nevojshme infrastrukturore do të shtyhen dhe në rrethana të tjera nuk do të më pëlqente të ndërmerrja këto veprime.

Ky do të jetë shkurtimi më i madh që i bëjmë buxhetit në histori, por është një veprim i domosdoshëm për të siguruar të ardhmen tonë”.

Pavarësisht kalimit të buxhetit, ekspertët parashikojnë që republikanët, të cilët tashmë kanë kontrollin e Kongresit, të ushtrojnë një luftë shumë më të fortë për buxhetin e 2012-s.

Pa një marrëveshje deri në mesnatë, qeveria do të rreshte së funksionuari dhe 800 mijë punonjës të administratës nuk do të paguheshin, së bashku me ushtrinë, deri në zgjidhjen e krizës.

Top Channel