Plagosja e Tan Leprit enigma

09/04/2011 11:10

Plagosja e Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri, më 24 mars, vazhdon të jetë enigmë për policinë dhe prokurorinë.

Prova e fundit që ka rënë në duart e hetuesve të çështjes, sipas “Shqip”, nuk ka identifikuar autorët. Disa kaseta filmike, që janë regjistruar nga kamerat e sigurisë të disa firmave private pranë vendit të ngjarjes, i janë servirur grupit hetimor disa ditë më parë.

Nga verifikimi ka rezultuar se në to nuk duket qartë asnjë atentator apo autor i mundshëm i plagosjes së biznesmenit të fushës së ndërtimeve. Prokuroria thotë se kamerat e sigurisë kanë qenë të fokusuara kryesisht tek dera e firmës private ku janë instaluar sesa në rrugë. Duket se një nga provat që mund të zbardhte ngjarjen ka dështuar.

Dritan Avllaj mbeti i plagosur mbrëmjen e 24 marsit në Tiranë, në një atentat nga dy persona me skafandër që lëviznin me motor. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:15, në afërsi të Tregut Elektrik, në kryeqytet, kur Avllaj sapo kishte dalë nga një lokal ku ishte duke darkuar.

Dy persona i kishin zënë pritë, dhe sapo “shënjestra” e tyre ka hipur në makinë, kanë nxituar që të qëllojnë në drejtim të tij. Mësohet se makina tip “Mercedez” drejtohej nga shoferi, ndërsa Dritan Avllaj ka qenë i ulur në sediljen e pasme të makinës. Policia dhe prokuroria ende nuk kanë zbardhur ngjarjen si dhe ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje.

Akuza ka rindërtuar vetëm momentin që personat kanë qëlluar në drejtim të automjetit të Avllajt. Sipas tyre, rreth orës 22:15, makina ende nuk kishte lëvizur nga vendi ku ishte e parkuar, kur motori në të cilin ndodheshin dy persona është afruar tek xhami i sediljes së pasme dhe njëri nga personat ka qëlluar 6 herë me pistoletë në drejtim të Dritan Avllajt.

Policia konfirmoi se vetëm një nga plumbat ka goditur në shpatullën e majtë Avllajn. Grupi hetimor ka gjetur brenda makinës gjashtë gëzhoja që dyshohet se i përkasin një pistolete me kalibër 9 milimetër.

Ndërsa ngjarja, për vetë dinamikën e saj, është klasifikuar si “vrasje e mbetur në tentativë”.

Asnjë prej plumbave nuk ka goditur drejtuesin e makinës, dhe për policinë ky fakt flet qartë për një veprim të organizuar mirë nga autorët, për të cilët “shënjestra” ishte pikërisht Dritan Avllaj.

Top Channel