Parandalimi i sëmundjeve të zemrës

09/04/2011 20:30

Kequshqyerja dhe jeta sedentare kanë rritur numirn e personave të prekur nga problemet kardiake.

Në një konferencë shkencore mbi cështjet e kardiologjisë dhe të kardiokirurgjisë moderne, mjekë kardiologë shqiptarë dhe të ardhur nga Athina kanë shkëmbyer eksperiencat ndërmjet tyre.

“Diskutojmë sot për sëmundjet e zemrës, të cilat trajtohen me metoda të ndryshme invazive, metoda që mund të shmangin ndërhyrjet kirurgjikale. Ajo që duhet thënë është se shkaku i këtyre sëmundjeve të zemrës lidhet me mënyrën e jetesës, duhanpirjen dhe mënyrën e ushqyerjes, si dhe më aktivitetin fizik. Nuk na lejohet ne, vendeve të Ballkanit, që të gabojmë duke lejuar rritjen e të sëmurëve me zemër, duke njohur mirë shkaqet e tyre nisur nga eksperiencat e vendeve të tjera të zhvilluara si Britani e Madhe, vendet skandinave e të tjera”, ka deklaruar Karatzas Nikos, drejtor i klinikës kardiologjike “Hygeia” në Athinë.

Në spitalin e ri “Hygeia” janë kryer tashmë 100 ndërhyrje kirurgjikale dhe sipas mjekëve, këtu kryhen të gjitha llojet e ndërhyrjeve kirurgjikale.

“Jam i specializuar në kardiokirurgjinë mikroinvazive dhe robotike. Këto teknika i kemi sjellë dhe jemi gati t’i zbatojmë edhe këtu për problemet e zemrës. Kirurgjia klasike kryhet nëpërmjet hapjes së kraharorit, ne, nëpërmjet teknikave mikroinvazive, mund të arrijmë të njëjtat rezultate, por duke bërë carje të vogla. Koha e shërimit të pacientëve është më e shpejtë. Nëse për kirurgjinë klasike nevojitet 3-4 flakonë gjak, në teknikat moderne nevojitet vetëm një dhe mbi të gjitha ka të bëjë edhe me cështje të estetikës”, ka deklaruar Panos Aristotelis, drejtor i klinikës kardiokirurgjikale “Hygeia” në Athinë.

Konferencën e tretë shkencore mbi problemet kardiake e ka përshëndetur edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

“Të tëra ndërhyrjet që mbulojnë 95 përqind të radiologjisë kryhen sot në Shqipëri me cilësi mjaft të lartë. Sot këtu ofrohen shumë shërbime, gama e të cilëve po shkon duke u kufizuar në ato përqindje normale të shkëmbimit të pacientëve në vende të ndryshme të botës”, ka vlerësuar Vasili.

Top Channel